Ironia e ngazëllimit të ushtarëve të Berishës, për "fitoren" e Ramës ndaj SPAK!
Ironia më e madhe sot shfaqet tek ushtarët e Berishës që nuk po e përmbajnë dot ngazëllimin për fitoren e Ramës Kundër SPAK-ut. Pa e fshehur ekzaltimin ata thonë se, pas vendimit për të mbrojtur Ballukun, tashmë SPAK-u mori fund. Njëherë që doli nga rreshti dhe bëri një veprim të pavarur, u godit nga Rama dhe u nënshtrua me turp.
Ky mund të quhet medim dëshiror mazokik, një situatë patologjike kur sheh me sy hapur një gol imagjinar që ke qef ta hash.
Rama në fakt nuk ka arritur asnjë fitore. Skandalet dhe dosjet e bëra kapic, ia kanë masakruar tashmë imazhin dhe ky i fundit me Ballukun i ka vënë vulën. SPAK-u, jo vetëm ia rrëzoi qeverisë figurën numër dy, por nxorri zbuluar vetë Ramën, duke e detyruar të shfaqë fytyrën e vërtetë në mbrojtje të hajdutëve. SPAK-u ia ka prerë atij krahët dhe alibitë duke e bërë të bjerë në kuotat më të ulëta në këto 13 vjet. Ai ndërkohë nuk mund të thotë më se SPAK-u është krenaria e tij, nuk mund të thotë më se të hetuarit hanë dardha pas shpine, nuk mund të thotë më se nuk ka frikë nga hetimet, e mbi të gjitha ai tashmë është ekspozuar shumë keq ndaj ndërkombëtarëve.
Ndryshe nga ç’thotë retorika mazokiste e opozitës, SPAK-u e ka sakatuar imazhin e qeverisë këto vite. Ai iu ka provuar shqiptarëve nivelet e tmerrshme të korrupsionit të saj duke dërguar para drejtësisë thuajse të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit. Goditja e Ballukut nuk është një dalje nga rrjeshti, por një kulmim i një pune të jashtëzakonshme e cila ka ardhur duke u rritur në kreshendo, nga rasti në rast. Këto goditje e kanë bërë Ramën të kapërdije pak e nga pak helme të cilat nuk mund ti mbajë më deri sa shpërtheu, fillimisht me rastin e Veliajt, dhe tashmë përfundimisht tek Balluku.
E keqja është se opozita ka hallet të tjera dhe nuk ka në fokus luftën me qeverinë. Kreu i saj është vetë nën akuzë nga SPAK-u për shpërdorim detyre, fshehje të pasurisë, financime të dyshimta fushatash, si dhe urdhërim për vrasje qytetarësh në protestë. Për të gjitha këto, SPAK-u është armiku i vërtetë i tij dhe jo Rama. Për rrjedhojë, hetimi i Ballukut ishte një halë e pakapërdishme për Berishën më shumë se edhe për vetë Ramën, pasi kjo shkatërroi njëkohësisht edhe alibitë e tij.
Lufta e SPAK-ut me qeverinë nxorri bllof gënjeshtrën se SPAK-u është një organizatë kriminale në shërbim të Ramës, për të shkatërruar opozitën. Pikërisht, kjo është arsyeja përse ushtarët e Berishës, mezi pritën refuzimin e heqjes së imunitetit të Ballukut, për të profetizuar kasandrën, në përpjekje për ta trajtuar gjithçka si një aksident, një rebelim momental mes oborrtarëve. Ata mezi kanë pritur të rikthehen tek retorika antispak, ku pas gabimit momental, Prokuroria e Posaçme të rikthehet në pozicionin e saj si “organizatë kriminale në duart e regjimit”.
Në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Pavarësisht pengesave të dëshpëruara që Rama po nxjerr, hetimet do vazhdojnë dhe Balluku do të shkojë para drejtësisë. Të tjera hetime e skandale duket se do dalin rrugës dhe qeveria do vazhdojë të diskreditohet në sytë e pubikut duke mbetur në pushtet vetëm për shkak të fatit të madh që ka përballë një opozitë si kjo e Berishës.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128