Konfuzion total

18 Shtator 2022, 08:50 / IDE NGA ERL KODRA

Konfuzion total

Nga Erl Kodra

Konfuzion total

Sipas fjalorit të Kembrixhit, konfuzioni është "një situatë në të cilën njerëzit nuk kuptojnë se çfarë po ndodh, çfarë duhet të bëjnë ose kush është kush". Në Shqipëri konfuzioni është kaq i madh, sa kundërthëniet dhe paradokset politike kanë çoirentuar shumicën e qytaterëve. Jo se kemi qenë ndonjëherë të orientuar drejt, por këto vitet e fundit labirinthi është kthyer në një makth të vërtetë.

Shikoni se në çfarë paradoksesh jemi mbërthyer.

Vladimir Putin është një sovranist, President i një vendi të madh dhe “i djathtë vizionar”. Prej më shumë se gjashtë muajsh ai po bën luftën e jetës së tij kundër Ukrainës, dhe synon “denazistifikimin” e saj. Por "operacioni special ushtarak" ka ngecur, dhe lufta e tij është në një moment kritik.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe NATO kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike dhe politike kundër Rusisë, ndërkohë që një krizë globale e energjisë po pushton planetin. Çmimet kanë kapur nivele të papara ndonjëherë, ndërkohë që pritet një dimër i vështirë për të gjithë botën. Lufta ka pasoja - dhe në fakt Europa është në luftë.

Meqense jemi tek lufta, Ballkani është një ndër rajonet ku më së shumëti ndjehen erërat luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Aleati më i madh i Putinit në rajon dhe Europë është Serbia, dhe ne shqiptarët kemi llogari të hapura me Serbinë. Në fakt këto llogari i kemi të hapura prej shumë shekujsh. Nga kjo pikëpamje, edhe ne jemi në luftë - jo në një luftë me armë - por në prag lufte.

Kush mund t'u japë një kuptim kundërthënieve në të cilat po mbytemi? A mund të japim një shpjegim të arsyeshëm se çfarë po ndodhë me politikën dhe politikanët tanë?

Në fakt të gjitha kundërthëniet dhe konfuzioni burojnë, përndryshe konvergojnë tek një individ - Kryeministri Edi Rama. Për sa i takon Ballkanit, strumbullarët janë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Skema e mëposhtme në vetvete është një paradoks.

Edi Rama është mik për kokë i presidentit Aleksandër Vuçiç; ky i fundit është aleati më i madh i Presidentit Vladimir Putin në Europë. Presidenti rus është njëkohësisht një sovranist i madh që po bën luftë me nazistët ukrainas. Sovranisti tjetër - në anën tjetër të Atlantikut është ish-presidenti Donald Trump, që nuk e ka fshehur ndonjëherë simpatinë për "gjenialitetin" e Vladimir Putin. Ish-Presidenti gati sa nuk u shkarkua nga detyra për lidhje me Moskën dhe ndikim në zgjedhjet amerikane. Zyrtarë të lartë amerikanë janë hetuar dhe po hetohen për lidhje malinje me Kremlinin. Kurrë më parë gjërat nuk kanë shkuar kaq larg, sa edhe ish-zyrtarë të lartë të administratës amerikane të jenë përfshirë në aktivitete malinje. Kjo lojë (lexo luftë) spiunësh praktikisht ka përfshirë gjithë botën. Fronti i luftës është në Ukrainë, por prapavija e saj është në perëndim.

Aleatët e Vladimir Putin janë Xi Jinping i Kinës, Kim Jong-un i Koresë së Veriut, Ebrahim Raisi i Iranit, Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë dhe Aleksandër Vuçiç i Serbisë. Simaptizantët e tij janë më të shumtë, edhe brenda Bashkimit Europian, madje edhe brenda SHBA-ve, siç është ish-presidenti Donald Trump. Të gjithë këta kanë një armik të përbashkët - ai është George Soros, që ka kapur Amerikën. Në Europë ka shumë parti - kryesisht të djathta dhe sovraniste - që admirojnë hapur Presidentin Putin, duke filluar me Frontin Nacional në Francë, Lega Nord në Itali, Demokratët Suedez në Suedi, Fidesz e Viktor Orban në Hungari. Të gjithë këtyre të djathtëve sovranistë nuk u bën asfare përshtypje se Vladimir Putin është njëkohësisht aleat me Kim Jong-un e Koresë së Veriut dhe Ebrahim Raisi i Iranit, dhe se po zhvillon një "operacion special ushtarak" në Ukrainë për denazistifikimin e saj, duke e shoqëruar luftën me varre masive të popullsisë civile.

Për t'u kthyer tek politika e katundit tonë, çuditërisht Edi Rama del mik me disa personazhe që kanë lidhje të hapura apo të fshehura me Presidentin Putin. Miqësia dhe marrëdheniet vëllazërore të Ramës me Aleksandër Vuçiç janë proverbiale, projektet e njëpasnjëshme të "korrigjimit të kufinjëve" dhe më vonë Ballkani i Hapur janë produkt direkt i kësaj miqësie. Vet Edi Rama është bërë avokati dhe mbrojtësi i Presidentit Vuçiç përballë perëndimit, duke e justifikuar hapur aleancën dhe pozicionin e Serbisë përball Rusisë.

Edi Rama gjithashtu del mik për kokë i Charles Mcgonigal, ish-zyrtarit të lartë të FBI që është marrë nën hetim për lidhje të ngushta me Kremlinin. Se çfarë "miqësie personale" ka lidhur Edi Rama me një zyrtar të lartë të FBI është krejt e pamundur të kuptohet. Sigurisht që nuk është e ndaluar, por padyshim që është e çuditshme. Por hetimet në SHBA vazhdojnë.

Gjithashtu Rama është takuar në Shqipëri me Torbjörn Törnqvist, një miliarder suedez, CEO dhe bashkëthemelues i Gunvor Group, "një nga konglomeratet më të mëdha të mallrave, naftës dhe gazit në botë", me ortak miliarderin rus Gjenady Timchenko, shok fëmijërie dhe mik personal i Presidentit Putin, i cilësuar si "portofoli i presidentit rus". Gunvor Group ka qenë e sanksionuar nga Presidenti Obama për lidhje direkte me Presidentin Putin.

Tani sovranistët kanë përbashkuar disa gjëra të pamundura; siç është Marine Le Pen, Kim Jong-un, Vladimir Putin, Donald Trump, Ebrahim Raisi, Xi Jinping. Se sa mund të qëndrojnë bashkë komunisti Kim Jong-un, islamisti Ebrahim Raisi, anti-komunisti dhe sovranisti Vladimir Putin dhe anti-globalisti Donald Trump nuk dihet, por ata sot janë bashkë. Jo domosdoshmërisht personazhet e mësipërme duhet ta deklarojnë unitetin.

Dikur ishim vend "sovran dhe i pavarur, në luftë të ashpër me imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik" - pra ishim sovranistë të thekur. Lufta në Ukrainë i turbulloi edhe njëherë ndenjat "njerëzore" të sovjetikëve dhe sovranistëve, që nuk po gjejnë rehat. Megjithatë, përsëri ata bashkohen në një pikë; të gjithë janë kundër Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Bashkimit Europian dhe Natos.

Po ndodh...