Kush po e shantazhon Presidenten e re, ende pa u zgjedhur!

3 Qershor 2022, 09:56 / IDE NGA ARTAN FUGA

Kush po e shantazhon Presidenten e re, ende pa u zgjedhur!

Me rastin e zgjedhjes të Presidentit të ri të Shqipërisë nga të gjitha anët e politikës dhe medias, nga pushteti dhe nga opozita, ka një prirje për ta zhvleftësuar rolin dhe kompetencat e Presidentit të Republikës.
E gjithë alibia mbështetet te iluzioni se meqë kompetencat e presidentit janë disi të kufizuara, meqë në vitin 2008 opozita e sotme dhe pushteti i sotëm sëbashku i kufizuan edhe më shumë kompetencat e presidentit, meqë zgjedhja e tij në raundin e katërt dhe të pestë bëhet me shumicë të thjeshtë votash, atëhere nxirret përfundimi sa i gabuar aq edhe i mbrapshtë se:
Presidenti nuk vlen për gjë!
Presidenti është një kukull, ta zemë si Kardashian!
Pra nuk merremi si opozitë me çështjen e Presidentit!
Pra, si pushtet, e trajtojmë si një kukull e ardhshme!
Cfarë nuk dëgjon si gjykime këto ditë nga goja e pushtetarëve, kandidatëve qesharakë që vetëshpallin kandidaturat e tyre, politikanëve të ndryshëm.
I ngarkuari me rolin e kryetarit të grupit parlamentar socialist arriti deri sa të deklarojë dje se "Presidenti nuk është pjesë e pushteteve në Shqipëri"!!! Këtu jemi përballë një mosnjohjeje të lemerishme si të Kushtetutës, si të së drejtës kushtetuese, si edhe të historisë të institucioneve, por njohjen e kësaj nuk e pretendojmë për deklaruesit!
Eshtë një shantazhim që i bëhet Presidentes së ardhshme të vendit!
Por edhe nga kritikët analistë, apo politikanët e opozitës pak a shumë thuhet e njëjta gjë, se presidenti është sekretar i kryeministrit, se është kukull, se nuk ka kompetenca!
Dhe i japin të dy palët, sikurse më shumë shumica, dhe disa nga solistët e saj, rolin e gjoja të përfaqësimit të moralit gjithëpërfshirës, të unitetit të popullit e kombit, a ku dihet se çfarë tjetër, pra një pushtet gjoja vetëm moral gjithpërfshirës!
Me një fjalë e paraqesin si një profet të rremë që paska fuqi pa kompetenca të mbledhë kombin rreth vetes!
Sa qesharake aq edhe një mjaltë me helm brenda për ne qytetarët.
E paraqesin Presidentin si një kryeplak, si një bajraktar, si një gjysh të mirë, a si kryegjysh, që e duan të gjithë, e respektojnë të gjithë. Dhe e gjitha kjo ndërkohë që çdo veprim në shoqërinë tonë krijon çarje dhe separatizma të jashtëzakonshëm.
Si do të mbledhka Presidnetja e re atë që politikanët e çajnë si shalqi në behar???
+++
Eshtë e vërtetë se kompetencat e Presidentit të Republikës janë rrudhur qysh nga koha kur këtë detyrë e bënte Sali Berisha që e trajtonte kryeministrin e vet si një vartës të thjeshtë administrate. I kishte kompetencat.
Eshtë po aq e vërtetë se dy vite më parë edhe Presidentit Ilir Meta i hoqën edhe më shumë kompetenca duke e çuar pikën deri aty sa edhe një grumbull antarësh të akademisë të shkencave i a hidhnin në kosh dekretin përkatës!!!
Eshtë e vërtetë se presidentët që kanë qenë pas 1998 përgjithësisht, me ndonjë përjashtim, kanë qenë të pazotët të ushtrojnë në mënyrën e duhur dhe maksimale detyrat që u ka ngarkuar kushtetuta. Me ndonjë përjashtim kanë kthyer ligje të Kuvendit duke e ditur se Kuvendi do t'i rivotonte ato dhe do t'i rifuste në fuqi!!!
U kanë rruajtur mjekrrën pasi i kishin venë priftërinj!
Por, kjo praktikë e një presidenti me profil shumë të dobët në ushtrimin e kompetencave, nuk ka ardhur nga Kushtetuta, por nga ushtrimi disa herë servil i këtij apo atij presidenti i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta.
Praktika e mbrapshtë e deritanishme ka sjellë që të ndërtohet një model presidencial që është kopja më e zbehtë e atij profili që kërkon Kushtetuta e Republikës të Shqipërisë.
Nisur këndej, unë pyes veten përtej tam tameve të propagandës nëse i kanë kryer detyrat kushtetuese si duhet një rradhë presidentësh, apo nuk kanë bërë tjetër por që nganjëherë nga karakteri jo i fortë, nga dëshira për konfortin e rehatisë, nga arësye të tjera të ditura apo të paditura nga publiku, nuk kanë qenë në krye të detyrës?
Mos kujtojë kush se qytetarët e hanë propagandën për të vërtetë, as vetëmburrjet dhe pozitat narciste të ndokujt që ka qenë më parë President!
Publiku e përbuz politikën dhe politikanët! Kjo është fatkeqësi për kombin, Shqipërinë, madje edhe më gjerë! Pa u rivendosur besimi, kjo gjendje do të përkeqësohet! Dhe kjo nuk bëhet duke parë që e gjithë politika në fakt do një president që ende pa u zgjedhur e profilojnë me shantazh duke i thënë : Ej, o budallaqe, mos kujto se do të kryesh funksione që janë shkruar në letër!!!
+++
Presidenti i ardhshëm duhet ta lexojë mirë kushtetutën. Dhe do të shohë atje se detyrat dhe kompetencat e tij përballë kombit janë shumë të mëdha, dhe nuk janë thjesht dekorative! Nuk mund të luajë alibinë duke menduar:
Unë si kukull u zgjodha, kukullën po bëj, ose me kukulla po luaj!!!
Presidentin Kushtetuta e ka përcaktuar si komandant i përgjithshëm të forcave të armatosura dhe garant i sigurisë së vendit! Nuk po zgjatëm shumë për të thënë se çfarë hapësirash për veprim i hapen Presidentit dhe çfarë përgjegjësish i bien në kurriz prej këtij fakti! Po them vetëm se vetëm për këtë ai mund të thërrasë në raport jo vetëm ministrin e brendshëm dhe të mbrojtjes, por edhe vetë kryeministrin!
Presidenti është po ashtu që ka pushtet në strukturimin dhe gjenezën e pushtetit gjyqësor sepse ai emëron gjyqtarët për aq sa ja lejon si numur Kushtetuta në nivele shumë të larta të gjyqësorit! Kaq mjafton që dora dhe influenca e tij në pallatin e drejtësisë të jetë shumë e gjatë!
Ai emëron ambasadorët dhe interpretimi i thjeshtë i Kushtetutës e ngarkon me përgjegjësi për sigurinë e jashtme të vendit dhe numrin një për lidhjen e traktateve ndërkombëtare dhe dypalëshe! Kaq duhet që ai politikën e jashtme të mos e ketë "frut të ndaluar", por pjesë e veprimeve të tija të përditshme! Mua më vjen turp kur bëhen takime të rëndësishme jashtë vendit, dhe Presidenti rri si çilimi në tokë, ndërkohë Shqipëria paraqitet atje vetëm me kryeministrin!
Ministrja e jashtme duhet t'i ndjejë mornicat në trup kur kalon për raportim kangjaellat e zyrës së Presidencës!
Presidenti i jep mandatin kryeministrit, nuk është kryeministri që mandaton apo shkarkon presidentin!!! Në kushte raportesh të ndryshuara në Kuvend roli i Presidentit bëhet primar. Ai gjykon mbi zgjedhjet dhe nëse sheh sipas gjykimit të institucioneve se zgjedhjet janë të trukuara, mund edhe të mos e japë mandatimin e forcës që i ka fituar me mashtrim ato duke e privuar nga qeverisja!
Askush nuk e privon dot Presidentin nga gjykimet publike të tij, nga marrëdhëniet me grupe deputetësh për të mirën publike! Apo të mobilozojë marrje firmash masive për referendume.
Presidenti ta rrudhë pak dorën kur aprovon lënien e nështetësisë nga shqiptarët!
Nuk janë vetëm kaq! por mjaftojnë për të thënë që edhe me aq kompetenca sa ka sot, ato nuk janë pak! Kushtetuta në fakt në planin personal, nënkupton se Shqipëria duhet të drejtohet nga dy "koka", Presidenti dhe kryeministri.
Kjo e bën Presidentin të mos jetë kamarieri i kryeministrit, sikurse po e shantazhojnë për të qenë ende pa u zgjedhur, por të jetë bashkëqeverisës me kryeministrin e tij!
Jo të intimidohet si "nuse e dhjerë mbi kal" nga kryeministri kushdo qoftë ky! Jo të ankohet nën zë me miqtë se aq kompetenca ka! Jo të bëjë sikur, por të mbajë përgjegjësi edhe për rendin, edhe gjyqësorin edhe zgjedhjet, edhe politikën e jashtme, etj.
Ndryshe shteti shqiptar është i mbaruar!
Ai duhet ta lejë kryeministrin të qeverisë në politikën e ditës. Sigurisht. Mos i fusë hundët atje ku nuk duhet. Ta lejë qeverinë të punojë duke e administruar vendin. Mos i bëhet shkop në rrota.
Por, nga ana tjetër të marrë modelin e bukur të bashkëpunimit me kryeministrin, si dy koka shqiponje që e plotësojnë, por edhe e moderojnë, kontrollojnë, kufizojnë njeri tjetrin! Pra të marrë modelin bashkëpunues. Bashkëpunues ama dhe jo të servilit të ndyrë dyleksh!

Po ndodh...