Lali dhe Belo, si kopje me ngjyra të njëri-tjetrit

12 Maj 2023, 12:35 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Lali dhe Belo, si kopje me ngjyra të njëri-tjetrit

Të dy shfaqin një boshësi të llahtarshme. Politikisht ia kanë arritur duke u zvarritur, intelektualisht nuk rrezatojnë kurrfarë dijeje dhe kulture. Në jetë nuk janë shquar për asgjë, sepse të vetmen gjë që kanë bërë është bindja e verbër ndaj shefave. Herë ndaj njërit dhe herë ndaj tjetrit. Si investime individuale kanë qenë dështime, mirëpo brenda partive të mëdha janë pompuar jo për atë që kanë shfaqur, por për atë që kanë fshehur. Dhe fshehja e asaj që mbart përbrenda në politikën tonë është sukses i garantuar.
Kur Lali garoi me G-99, arritjen më të madhe e kishte tek votat që mblodhi në Urë Vajgurore, ndërsa të ishte për Belon ai asnjëherë nuk kishte për t’u zgjedhur kryetar i FRPD-së. Jo se nuk donte, por se nuk do të arrinte të fitonte edhe përballë kandidatit më të dobët të grupseksionit të PD-së në Paskuqan.
Lali dhe Belo kanë frikë nga vetja të jenë vetvetja. Edhe dalja e tyre e fundit njëkohësisht në një emision televiziv, drejtuesi i të cilit i drejtoi të njëjtat pyetje, vetëm se përforcoi idenë se sa të robëruar janë ndaj eprorëve të tyre, se sa anakronik janë në vlerësimin e situatës, se sa të pamundur e kanë për të qenë objektiv në leximin e realitetit. Të dy vërtetuan se janë thjesht ‘boratinë’ në duart e të tjerëve.
Si dy vëllezër siamezë, Lali dhe Belo janë tmerrësisht të ngjashëm me njëri-tjetrin, madje kur i pari u shfaq si Lali, i dyti nuk ngurroi shumë të vetëquhej Belo. As Lali as Belo nuk kanë kurrfarë natyrshmërie në artikulim, në ligjërim, në të folur. Të këshilluar nga të njëjtët ‘ekspertë’, narrativa e tyre është pa shpirt, pa emocion; imazhi i tyre është i ngrirë dhe plastika nuk shfaq asnjë rrudhje apo shtrirje, sepse ata janë konstant, pa ulje-ngritje, janë thjesht të rrafshët.
Lali dhe Belo janë imitime të njëri-tjetrit edhe përsa i përket veshjeve të tyre, edhe pse Belo është një hap prapa Lalit në këtë drejtim, sepse Belo vishet sot ashtu sikurse Lali vishej dje. Lali sot është më serioz, ndërsa Belo është më sportiv, por gjithmonë në rrugën e ‘ndritshme’ të Lalit.
Fushata e tyre ështe kopje e zbehtë e njëra-tjetrës, ashtu sikurse janë premtimet e tyre të mëdha pa asnjë bazë të realizueshme përbrenda. Kur njerëzit dëgjojnë premtimet e Lalit dhe Belos, askush nuk i beson, shumica ndofta edhe i vë në lojë, por Lali dhe Belo marrin vota, sepse kanë pasur aftësinë të kalërojnë formacione të mëdha politike, me të vetmen meritë shpinën e krusur ndaj atyre më lart.
Lali dhe Belo janë të ngjashëm, sepse të dy nuk nxihen dhe nuk skuqen kur poshtërohen publikisht nga shefat e tyre. Ata kanë mësuar se me atë që ke lart duhet të jesh i përulur, ndërsa ata që kë poshtë duhet t’i shtypësh me këmbë. Vetëm kështu, ata që janë lart të vlerësojnë më shumë, ndërsa ata që ke poshtë, të duan më fort. Përveç grupimeve të mëdha politike, pas Lalit dhe Belos fshihen edhe grupime të mëdha biznesi, të botës së nëndheshme të interesave ekonomike dhe të botës së errët të krimit, i cili është pazgjidhshmërisht i lidhur me biznesin e ndërtimit në kryeqytet. Jo rastësisht ish-klientët e Lalit, të prishur për arsye ‘biznesi’ me të, i sheh sot të shfaqen në krahun e Belos. Për të mos folur pastaj për një lloj tjetër, që ‘investon’ edhe për Lalin, edhe për Belon, njëkohësisht. Madje, ‘garancia’ që Belo do rezultojë fitues, sipas mbështetësve të tij, është se oligarkët e prishur me Lalin, po investojnë fuqishëm në fitoren e Belos. Në këtë kuptim, qeverisja e nesërme e Lalit apo e Belos, edhe si formë, edhe si përmbajtje, do jetë e udhëhequr nga të njëjtat interesa biznesi dhe nga të njëjtët figura të errëta, që nuk shfaqen në publik, por janë aty sa herë që flitet për pazare dhe për ndërtime.
Nëse sheh Lalin dhe Belon në televizor, e ke të vështirë për të dalluar se ku fillon Belo e ku mbaron Lali në gjestikulacion, në mimikë, në artikulim dhe në impostim përpara kamerës dhe publikut. E ke aq të vështirë saqë po të mos shkruhet poshtë se kush është Belo dhe se kush është Lali, Lali mund të duket si Belo dhe Belo si Lali.

 

Po ndodh...

ide