Me vezë e miell bëhet byrek, jo opozitë!

8 Shkurt 2024, 12:25 / IDE NGA ERMAL PEçI!

Me vezë e miell bëhet byrek, jo opozitë!

Ditë e re, avazi i vjetër ishte dhe e enjtja e sotme në sytë e shqiptarëve. Zhurmë, rrëmujë, përplasje, djegie rregulloreje, deputetë, të cilët bërtasin “regjimi, regjimi”, por janë vetë pjesë e këtij sistemi politiko-oligarkik. Një fasadë politike në sytë e shqiptarëve, e cila është shumë larg asaj që shoqëria kërkon. Duket se klasa politike shqiptare dhe opozita e Rithemelimit ka marrë në dorë rolin e luditëve, të cilët nuk duan që shoqëria shqiptare të ecë përpara. Opozita shqiptare sot, ka një problem thelbësor, e cila lidhet me empatinë që ajo nuk e ka me shoqërinë.

Studimi i fundit i Institutit Ndërkombëtar Republikan, do të duhet të ishte kryefjala e ditës së sotme, që tregonte realisht se çfarë mendojnë shqiptarët, kush janë problemet kryesore të tyre dhe si e perceptojnë ata SPAK-un. Në sondazhin e ri të datës 6 shkurt 2024, shqetësimet e shqiptarëve janë: kostoja e jetesës e çmimet e larta (65%), papunësia (40%), korrupsioni (16%) emigracioni (12%).

Por deputetët e opozitës nuk është se i kanë këto probleme dhe as nuk i ndjejnë sepse secili prej tyre jeton në luks. Fëmijët i kanë në universitete private jashtë vendit dhe këto shqetësime i duken si surreale. Nuk është vetëm kjo ndarja që ata kanë me shoqërinë, është dhe mbështetja që shoqëria shqiptare po i jep SPAK-ut, është institucioni më i mbështetur nga shqiptarët, një institucion, i cili në fakt po godet politikën e trazicionit shqiptar të këtyre 33 viteve. Po si mund të flasin deputetët e opozitës për këtë sondazh kur kreu i Rithemelimit, Berisha e sulmon nga mëngjesi deri në darkë SPAK-un. Si mund të flasin për SPAK-un kur secili deputet që ka rreth vetes mendon më shumë për karrigen e vet, që mund t’i dhurohet nga sarbatori politik i Berishës sesa për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Ky është problemi real sot i opozitës së errësirës, e cila nuk ka asnjë lidhje me problemet reale të këtij vendi, por ka hallin e një personi. Zhvendosja e opozitës nga qëllimi kryesor solli dhe panoramën e sotme, të lyesh me miell gardistët, të cilët nuk kanë asnjë faj, por janë aty në krye të detyrës, të etiketosh me fyerje tradhtar dhe kolaboracionist këdo që nuk mbështet Berishën dhe në fund të godasësh për show makinën e Taulant Ballës. Kjo është tragjedia e opozitës së Rithemelimit që përsërit vetveten, por pa dhënë asnjë rezultat, sepse me vezë e miell bëhet byrek dhe jo opozitë.

Opozita është alternativë, platformë, ekip që përcjell moral edhe gjen kohezion tek shoqëria dhe jo tek ballkoni i Berishës.

 

Po ndodh...