Mëkati me fytyrën e Piktorit të Shqipërisë

7 Shtator 2022, 08:42 / EDITORIAL NGA KIM MEHMETI
Mëkati me fytyrën e Piktorit të Shqipërisë

"Sot edhe lopën që është lopë e jo më ndonjë njeri, nëse për çdo natë e për çdo ditë e nxjerr në televizor dhe nëpër mediat e tjera, mund ta ngresh në rrafshin e “vlerës kombëtare” dhe ta bësh të besueshme gënjeshtrën se ajo lëshon më shumë qumësht, kur dëgjon Himnin Kombëtar!"

Nëpër "Shqipëritë" tona e veçanërisht në mëmëdhe, ka me qindra ‘intelektualë’, si për shembull filozofë, piktorë, shkrimtarë, aktorë, historianë..., të cilët kanë lënë pas vetes vepra për mburrje e që janë bërë madje edhe pjesë e thesarit botëror, por nëse i merr të gjithë ata dhe i shkrin në një kazanë, nga shkrirja e tyre nuk të mbetet thuajse aspak mendim kritik ndaj proceseve shoqërore e që do t’i ndihmonte shqiptarët të kuptonin se çka është duke ndodhur me ta dhe jashtë tyre.

Nëpër shoqëritë shqiptare e posaçërisht në Shqipëri, ka me qindra "mendimtarë të pavarur:, të cilët nëpërmjet ekraneve televizive, thuajse për çdo natë, kuvendojnë për gjithçka, duke nisur nga seksi te mizat e deri te pasojat e globalizmit, por nëse i merr dhe “i bluan”, nga “mielli” i dalë prej tyre nuk mund “të ngjeshësh” as katër - pesë veta që nuk e kanë dhënë kokën me qira te ndonjë parti politike.

Nëpër trojet shqiptare, e veçmas në Tiranë, ka me qindra media, si për shembull televizione me godina të shtrenjta dhe studio marramendëse të nivelit botëror, por nga të gjitha ato, të del vetëm një RTSH si e kohës së Enverit, e cila nuk e ka redaksinë te Partia e Punës, por, o te zyra e Piktorit - o te ajo e kryebashkiakut të Tiranës.

Dhe njësoj si njeriu që nuk është vetëm ajo që shohim – dukja fizike - por edhe e padukshmja e tij, siç janë imagjinata, ndjesitë, epshet, pasionet, ëndrrat, edhe shoqëritë nuk janë vetëm ajo që duket, por edhe ajo që nuk shihet në to.

Kështu që "Shqipëritë" tona nuk janë vetëm e dukshmja e tyre, si për shembull hajdutëria, krimi, keqqeverisja, paligjshmëria... por edhe e padukshmja në to, ajo që shpërfaq mëkatin tonë kolektiv e të cilin e përbën heshtja e elitave, mediat që e vënë popullin në gjumë me spektakle, mendimtarët që lirshëm e thonë atë që mendon partia...

Por megjithatë, ne vetëm shtiremi se nuk e shohim mëkatin tonë të padukshëm kolektiv, sepse pa ndalur përballemi më të.

Ai ka fytyrën e burrështetasve tanë, si për shembull, atë të Piktorit në Shqipëri, i cili rrënon Teatrin Kombëtar e ne heshtim, që e bashkon Ballkanin duke e përçarë shqiptarinë dhe që tallet me të gjithë ne ngaqë e di se ka të bëjë me “intelektualë”, “mendimtarë të pavarur” e media që do ta kritikojnë, që do t’ia thonë dhe do t’ia zbulojnë të gjitha keqbërjet e sotme, por nesër, pasi të bierë nga pushteti.

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128