Në PD është "prerë" koka e gabuar!

2 Tetor 2022, 22:00 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Në PD është "prerë" koka e gabuar!

Nëse futen në konflikt të egër dy kaponj, njërit prej tyre i pritet koka, që të shpëtojë tufa.
Fakti që PD-ja i “preu” kokën Lulzim Bashës dhe kriza në parti ngeli, do të thotë që është prerë koka e gabuar.

A ka forcë Partia Demokratike të “presë” edhe kokën e Sali Berishës dhe të gjejë mundësinë për t’u shndërruar në forcë konkurruese?

Fatkeqësisht, jo!
Por çfarë ka rezultuar kjo PD në drejtimin e Sali Berishës?
Së pari, kemi një parti tërësisht të izoluar ndërkombëtarisht. Përveçse disa figurave qesharake të diasporës amerikane, nën emrin dhe peshën e dikurshme të shoqatës “Vatra”, kjo parti nuk përfillet nga askush. Ndërkohë që të gjithë studimet serioze që flasin për vende gjysmë autoritare dhe me probleme në demokraci si Shqipëria ngrejnë shqetësimin dhe sugjerojnë se opozitat e këtyre vendeve nuk mund të vijnë në pushtet pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Së dyti, nën drejtimin e Sali Berishës dhe të konfliktit të egër brenda partisë së këtyre muajve, Partia Demokratike nga shpresë është shndërruar në kërcënim. Si mund të jetë shpresë për shqiptarët dhe për shoqërinë, për shtetin dhe për drejtimin e institucioneve një formacion politik që në muaj të tërë ka shpalosur mes veti të gjithë potencialin më të neveritshëm të llumit dhe të vrerit mes njëri-tjetrit, ndaj të gjithë atyre që nuk kanë menduar si Sali Berisha dhe ndaj kujtdo që nuk i është bindur hyqymetit të tij.

Imagjinoni një parti kaq agresive mes veti se si mund të ishte në pushtet ndaj shqiptarëve apo ndaj atyre që nuk kishin të njëjtat bindje politike?!

Së treti, Partia Demokratike sot është e braktisur nga intelektualët dhe është katandisur në një përzierje surrogate, ku spikasin ish-komunistët e konvertuar në antikomunistë; ish-drejtuesit e pushtetit të saj, të cilët nuk janë shquar për asnjë gjë në të mirë të interesit publik vetëm se i ka karakterizuar besnikëria, e ngjashme me atë të qenit, ndaj udhëheqësit të vetëm të kësaj partie, gjë që ka shenjuar edhe karrierën e tyre dje në pushtet dhe sot në opozitë; dhe një takëm militantësh të patru, të cilët deri dje ankoheshin në pushtet ndaj të parëve që nuk i përfillnin dhe i kishin lënë rrugëve, kurse sot nuk kanë as mundësi as dëshirë të kuptojnë dhe të dëgjojnë.

Si përfundim, Partia Demokratike nuk mund të shndërrohet në shpresë për shqiptarët, pa u shkëputur nga modeli i Sali Berishës, pa u pastruar nga trashëgimia e saj më e keqe e llumit dhe e korrupsionit, pa e parë veten me guxim dhe kurajo. Partia Demokratike ka nevojë për një autoritet që t’i kthejë shpresën shqiptarëve, jo për një gogol që mbart anët më të errëta të kujtesës 30-vjeçare për ta dhe as për një lider që i bashkon rreth tij hija e frikës dhe jo dielli i shpresës.

Po ndodh...