Nëse Basha paska qenë i "kapur", po Berisha sot, me sa dosje është i marrë peng nga pushteti?

20 Janar 2026, 20:26 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Nëse Basha paska qenë i "kapur", po Berisha sot, me sa dosje

Prej disa javësh, kreu i PD-së, Sali Berisha, në çdo takim, foltore apo konferencë shtypi gjen kohë të sulmojë dhe ish-kreun e kësaj force politike, Lulzim Basha.

Pavarësisht se Basha nuk duket gjëkuni, informacionet se ai lëviz sa në Washington sa në Bruksel, me sa duket, e shqetësojnë Berishën, i cili, duket se ka gjithçka, përveçse kjo që mendohet se ka Basha i mungon.

Edhe në takimin e kësaj të marte me demokratët e njësisë numër 4 në kryeqytet, Berisha iu rikthye sulmeve ndaj Lulzim Bashës, duke e akuzuar atë si peng të Edi Ramës. pikërisht me dy dosje, sipas Berishës: “I kishin hapur dy dosje, një për Toyota Yaris dhe një për financimet ruse. Dhe në mëngjes e thërrisnin në prokurori, në darkë i shkonte Agaçi. Në këtë mënyrë kishin nën kontroll opozitën.”

Pavarësisht në është apo nuk është i vërtetë ky pretendim i Sali Berishës, ajo që dihet është se këto akuza përveçse nga PS-ja për një kohë të gjatë, gjatë periudhës së Foltores së parë u rimorën dhe prej tij, duke i përsëritur për një periudhë të gjatë Lulzim Bashës pikërisht akuzat që i kishin bërë dikur kundërshtarët e tij politikë.

Mirëpo, nëse do të marrim të mirëqenë se opozita e Bashës kontrollohej nëpërmjet dosjeve të hapura nga pushteti, gjë që nuk është e vërtetë përsa kohë që asnjë prej atyre akuzave nuk u shndërrua në një akuzë penale, atëherë çfaër mund të themi për malin e problemeve që ka vetë Berisha me drejtësinë, duke filluar që nga çështja që është duke u gjykuar, ajo ‘Partizani’, por edhe çështje të tjera që i ka në proces hapjeje, si ajo e hetimit pasuror ndaj tij dhe fëmijëve të tij ,çështjes së 21 Janarit, të cilin Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar si krim shtetëror, dhe që SPAK është duke e hetuar, e Gërdecit që janë përfshirë familjarë të tij apo çështje të tjera që mund t’i hapen dhe mund të dalin rrugës.

Nëse do të pranojmë dhe të besojmë logjikën e Berishës ndaj Bashës, i bie që opozita e sotme vijon të jetë nën pengmarrjen e Edi Ramës, përsa kohë që Berisha ka kaq shumë halle me drejtësinë dhe është i hapur të qëndrojë përjetësisht në opozitë vetëm që të mos humbasë privilegjin e liderit të opozitës, në mënyrë që ta ketë mburojë nga drejtësia.

Është pikërisht i njëjti argument: Berisha është peng i pushtetit për shkak të dosjeve të mëdha dhe problemeve që ka me drejtësinë. Se kush i vete në darkë në shtëpi për Pazar nuk e dimë, por që, sipas akuzave të tij ndaj Bashës dje, edhe atij sot duhet t’i shkojë dikush me patjetër.  

 

Po ndodh...