Një doktor Jovan Breg!

25 Nëntor 2022, 18:03 / IDE NGA EDLIRA DEVOLLI LEKA

Një doktor Jovan Breg!

Kryefoltoristi i cili ka uzurpuar  “karrigen” kryetar i PDSH dhe themeluesi i përçarjes së demokratëve herë pas here shprehet se Rama ka vjedhur zgjedhjet dhe se kemi përball një narkoshtet.

Nuk kam asnjë kundërshtim, kjo është e vërteta edhe në optikën time.

Po këta sikur thanë që i kishte shitur Basha zgjedhjet? 

Madje “doktori i mrekullive” e kuptoi këtë gjë fiks në 9 shtator 2021.

“Se unë për sa e njoh veten, për të ndershëm e njoh”- thoshte Jovan Bregu tek 'Pallati 176.'

Ose një shprehje tjetër që i shkon përshtat kësaj situate është: “Po si ta ndaja Irenën nga Sandri po të mos shaja”.

Ç`lidhje ka do pyesni ju? E si s`ka?

Sali Berisha është kthyer kryekëput një Jovan Breg.

Mos u ngatërroni, nuk flas për të madhin Trebicka, por për Jovanin e rolit, i cili për hallin e “magazinës” së tij nuk lë gjë pa trilluar.

Edhe Berisha i ka këto cilësi, trillon e shan pa u skuqur e pa u zverdhur, rëndësi ka vetëm “magazina" e tij.

Edhe në gjetjen e epiteteve është i paparë, i rrëshkasin fjalët pa ndrojtje e pa lapsuse, madje mund të thyej edhe “Records Guinness” për këtë.

Po edhe veten, për të ndershëm e njeh, ndaj nuk lë amabasadorë, e personazhe të çdo fushe politike, ekonomike e familjare pa sulmuar.

Sepse vet ky është “etaloni i ndershmërisë”, këtë e pretendonte dhe Jovani i magazinës.

Por disa fakte më shkurt.

Pas 25 prillit 2021, Berisha foli për masakrën zgjedhore, banda e  narkoshtet, fakte të cilat ne që kemi qenë të pranishëm në terren i kemi parë.

Në 9 shtator 2021 Berisha doli e tha se Basha kishte shitur zgjedhjet, se me demek nuk do që të jetë kryeministër vet.

Nuk la gjë pa i shpifur deri dhe peng, i shitur, i blerë, pra fiks si një Jovan Breg.

E si do mundte ta ndante partinë copash pa sharë e pa trilluar për Bashën?

Tani na del vet mjeshtri i humbjeve, i cili në gjithë ciklin e jetës politike ka fituar vetëm në 1992 dhe 2005 sepse 1996 është turp të konsiderohet fitore.

Por edhe 2009 nuk është fitore sepse vet legjenda ka thënë se nëse nuk pranonte Meta do shkonte t`i lutej Ramës, “aman hajde me mua se dua të bëhem kryeministër”.

Dhe këtij doktorit Jovan Breg i numërohen plot 11 humbje në zgjedhje e referendume.

Nejse ti kthehemi sa mësipër, faktit që thekson Berisha se Rama vjedh zgjedhjet, blen votat gjëra që janë thënë e stërthënë më parë.

Më lind natyrshëm pyetja, Berisha po përgatit ata pak demokratë që ka pas se nuk i çon dot në fitore, apo se ka bërë vet ndonjë Pazar, me tendera e SPAK?!

Nejse, Berisha nuk i ka qëndruar kurrë fjalës.

Ajo që po kuptoj është se zgjedhjet kur i humb Berisha quhen të vjedhura, ndërsa ato që i vidhen Bashës janë të shitura.

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128