Një marrëveshje në inkoherencë të plotë nga ana e rithemelimit

13 Mars 2024, 11:29 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Një marrëveshje në inkoherencë të plotë nga ana e

Nga marrëveshja e sotshme midis rithemelimit dhe qeverisë u vendos që kjo e fundit të lejojë dy komisione hetimore parlamentare. Në fakt, kjo është një gjë e vonuar, pasi hetimi parlamentar është një e drejtë e opozitës, dhe në këtë kuptim deputetët e saj nuk kanë marrë asgjë më shumë se sa meritojnë. Përveçse faktit se këto hetime tashmë do t’i kryejnë me një ligj të ri  për komisionet hetimore që kufizon hetimin.

Në këtë kuptim, për nga rëndësia kjo është një fitore modeste e rithemelimit për sa i përket funksionimit të demokracisë, në Shqipëri. Ajo që mbetet si fitore e madhe, është fakti se rithemelimi lumturohet se pushteti e legjitimoi si opozitën kryesore. Si të thuash, ata zëvendësimin e Lulzim Bashës në negociata me qeverinë me Gazment Bardhin apo Sali  Berishën, e konsiderojnë fitore të madhe. Kaq me sa duket paskërka qenë i gjithë revolucioni politik i rithemelimit.

Kjo marrëveshje jo vetëm që është modeste për demokracinë, por mbi të gjitha, është një marrëveshje në inkoherencë të plotë nga ana e rithemelimit. Deri më sot rithemelimi me në krye Sali Berishën ka patur një retorikë politike shumë të ashpër ndaj Edi Ramës dhe qeverisë. Ata e kanë akuzuar Edi Ramën si diktator, regjimin e tij si regjim autokrat. E kanë akuzuar Ramën si njeriu që ka burgosur liderin e opozitës. E kanë akuzuar se nëpërmjet lobimit ka shpallur liderin e opozitës ‘non-grata’. E kanë akuzuar gjithashtu se Edi Rama ka kapur drejtësinë e re në Shqipëri.

Këtu qëndron pikërisht inkoherenca politike e kësaj marrëveshjeje. Si mundet të negociosh me një njeri që të ka burgosur liderin? Si mundet të negociosh me një njëri i cili ka lobuar për të shpallur non-grata liderin e opozitës? Si mundet të negociosh me një njëri që ka kapur të gjithë drejtësinë? Si  mundet  të negociosh me një njëri që ka shkatërruar dhe ka përçarë opozitës?

Si mund t’i harrosh të gjitha këto krime kundër demokracisë për të marrë dy komisione hetimore, aq më tepër komisione që do të funksionojnë me dyer të mbyllura sipas ligjit të ri?

Më se paku, kur negocion me një njëri tët tillë, e fillon me lirimin nga burgu të liderit të opozitës. Si mundet ta quash fitore një marrëveshje të tillë kur lideri i opozitës vazhdon të jetë në arrest dhe i shpallur non-grata? A ka kuptim që opozita të vazhdojë hetimet ndaj qeverisë dhe të pretendojë se ajo do të respektojë këtë hetim, kur lideri i saj është në burg me urdhër të Edi Ramës.

Në këtë histori ka dy gjëra. Ose ato që deri më sot opozita ka artikuluar nuk janë të vërteta. Pra, Sali Berishën nuk e ka shpallur non-grata Edi Rama, por ShBA. Sali Berishën nuk e ka arrestuar Edi Rama, por drejtësia e re e cila është e pavarur prej tij. Ose në të kundërtën, kjo marrëveshje është gjithashtu ‘një thikë pas shpine’ ndaj liderit të opozitës.

Sepse ndryshe, duhet të pranojmë që Edi Rama nuk është diktator, por një demokrat i madh. Edi Rama nuk e ka kapur drejtësinë, përkundrazi, ka punuar për një drejtësi të pavarur. Edi Rama nuk ka lobuar në ShBA për shpalljen non-grata të Sali Berishë, përkundrazi, është politikani më pro-perëndimor i momentin në Shqipëri.

Madje, Edi Rama, është aq demokrat saqë po njeh vullnetin e shumicës së demokratëve që njeh Sali Berishën si kryetar legjitim.

Së fundmi, për sa i përket përshëndetjes së ndërkombëtarëve për këtë marrëveshje. Këtu nuk ka asnjë çudi. Vetëm një i çmendur mund të mendojë se perëndimi punon kundër opozitës në Shqipëri për të instaluar një diktaturë. ShBA, Britania e Madhe dhe BE, nuk ka asnjë gjë me deputetët opozitarë. Ata kanë një konflikt me Sali Berishën dhe jo me Gazment Bardhin, Ervin Salianjin etj. Këta fundit nuk janë të shpallur non-grata. Janë deputet të popullit, si gjithë të tjerët.

 

ide