Njerëz të harruar

10 Gusht 2022, 14:56 / IDE NGA ELONA CASLLI

Njerëz të harruar

Në një fshat të Prrenjasit mbrëmë ka varur veten një burrë në një pemë. Ishte 48 vjeç dhe jetonte në kushte skajshmërisht të vështira bashkë me të motrën. Banorët e fshatit i ndihmonin me sa mundeshin. Prej disa muajsh i kishin ndërprerë energjinë elektrike se nuk e kishin paguar.
Ndërkohë lind pyetja; A është kujtuar ndonjëherë kush për këta njerëz?!

Kabineti qeveritar rilindas është aq """ i përulur""" në propagadën e tij, sa në ditë të caktuara shkon dhe ua shërben vetë vaktin njerëzve në nevojë në qendra sociale.
Mes fotove llamburitëse ku deputetë e ministra shpërndajnë supën, kemi dhe imazhin e njê burri që vetëvaret në pemë në një mbrëmje të nxehtë gushti.

Ky burrë përfaqëson kategorinë e njerëzve të harruar në këtë vend. Harrohen njerëzit sikundër harrohet çadra në shtëpi në një ditë me shi dhe keqardhja për ta shprehet njëlloj si për çadrën- "Harrova të merrja çadrën" dhe në rastin konkret "harruam që ekzistoje dhe ti".

Nuk mjafton fakti që dy njerëz jetojnë në varfëri ekstreme dhe pa asnjë ndihmë sociale, por shteti me dorën e tij të hekurt i pret dhe energjinë elektrike duke i harruar në errësirë.

Post Scriptum- E në mes harresës së errësirës një burrë merr vendimin të varet në një pemë, duke shënuar kështu një kufomë më tepër në regjistrin e kufomave të dritës.



Po ndodh...