“Pa ikur ne të tre, s’ka shpëtim Shqipëria”– Si përsëritet historia

22 Shtator 2022, 14:34 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

“Pa ikur ne të tre, s’ka shpëtim

Ka një pasazh të mrekullueshëm në “Kujtimet” e tij Eqrem bej Vlora, i cili shpjegon Shqipërinë e atëhershme dhe këtë të sotme. Ai sjell në kujtesë një takim mes 3 njerëzve më të pushtetshëm të kohës me Princ Vidin. Ata janë Ismail Qemali, Esat pashë Toptani dhe Preng Bibë Doda.

Aty ai sjell detajet e një takimi dhe një thënie të Preng Bibë Dodës së Mirditës, i cili, mes humorit dhe sarkazmës, i është drejtuar Princ Vidit dhe i ka thënë se ky vend nuk do të gjejë qetësi nëse nuk mënjanohen këta tre, duke përfshirë edhe veten e tij, nga skena politike. Është e kuptueshme se ata tre që përmend Kapedani i Mirditës ishin njerëzit më të pushtetshëm të kohës dhe u larguan nga skena politike në mënyra të ndryshme, edhe pse jo njëkohësisht.

Fragmenti i plotë është ky:

“Atdhetarizma e strucit do të jetonte edhe për shumë kohë në Shqipëri. Më kujtohet një ngjarje aty nga mesi i majit. Ismail beu, i kthyer nga Nica në Vlorë, kishte ardhur në Durrës për t’i bërë një vizitë Princit. Në darkë ishin ftuar të gjithë. Midis të ftuarve ishin Ismail beu, Esat pasha dhe Kapedani i Mirditës, Preng Bibë Dodë pasha. Gjatë bukës ky i fundit qeshte dhe bënte vazhdimisht shaka, fliste me sarkazëm për nacionalizmin, temën aq të dashur për ne, atdhetarët e rinj, dhe, së fundi, e mbylli duke iu drejtuar Princit: “Kështu, pra, Lartësi! Nëse doni vërtet të qeverisni në Shqipëri, masa e parë që duhet të merrni është të mënjanonin Ismail beun dhe Esat pashën. Me këtë rast, iu lutem, të mos harroni edhe personin tim të parëndësishëm dhe mjaft gjela të tjerë grindavecë më të vegjël.”

E solla në vëmendje këtë fragment nga libri i Eqrem bej Vlorës, jo për të krahasuar personazhet e atëhershëm me këta të sotëm, por për të treguar se Shqipëria ka ngelur po e njëjtë dhe sot më shumë se kurrë e kërkon shpëtimin tek largimi i kësaj klase politike thellësisht të korruptuar, të cilët si pjesë e pandarë e të njëjtit trekëndësh barabrinjës mbajnë fortë brinjtë e njëri-tjetrit, sepse po ra një nuk ekziston më figura gjeometrike.