Pakica e të paktëve jeton, ndërsa shumica e të tepërve përgojon

5 Shkurt 2024, 16:23 / IDE NGA ELONA CASLLI

Pakica e të paktëve jeton, ndërsa shumica e të tepërve
Jeta e një individi është njëkohësisht shumë e gjatë dhe e shkurtër. Është e shkurtër për të përsosur arsyen individuale, por është krejt e gjatë dhe e mjaftueshme për procesin e përgojimit.

Të shumtë janë individët që ngrenë pyetjen; Pse " Big Brother-i" gjen një publik të gjerë në Shqipëri?!

Unë mendoj se ekzistenca e publikut të gjerë lidhet me cilësinë e jetës së këtij publiku. Kur një njeri lëviz në boshllëk, ose më saktë në zbrazëtinë e ekzistencës së vet, të cilën është i paaftë ta mbushë me dije, kulturë apo qëllime, gjëja që i vjen më natyrshëm është procesi i përgojimit. Pse shërben ky proces?!

Përgojuesit i shërben procesi i përgojimit si vaksinë harrese për ekzistencën e tij të zbrazur. Duke përgojuar jetën e dikujt tjetër, përgojuesit kanë iluzionin se mbushin boshllëkun në jetën e tyre. Them "iluzionin" sepse boshllëku i një qënieje të zbrazur nuk mund të mbushet kurrsesi me përgojimin e ekzistencës së një qënieje tjetër. Përkundrazi, përgojimi zgjeron hapësirën e zbrazëtisë së përgojuesit.

Boshllëkun e qënieve të zbrazura e përfytyroj si një kovë plastike me vrima që nuk mbushet kurrë me ujë, pasi uji derdhet nga vrimat e shumta të kovës.

Përgojuesit gjejnë gjithmonë një gjah. Edhe nëse nuk e gjejnë, e sajojnë një të tillë, pasi dhimbja e ekzistencës së zbrazur është shumë e rëndë për të mos u mpirë nga vaksina e përgojimit. Procesi i përgojimit i lejon përgojuesit shfrenimin e fantazisë mbi gjahun që ka zgjedhur të përgojojë dhe ai ndihet pronar i diçkaje për herë të parë në jetë. Në pamundësi për të zotëruar ekzistencën e vet, përgojuesi dëshiron të ndihet zotërues i një ekzistence tjetër.

Në këtë rast, media përmes formatit të " Big Brother-it", po i jep armatës së përgojuesve vaksinën e gatshme të harresës. Çeta e përgojuesve nuk ka nevojë të kërkojë gjahun për ta përgojuar. E ka të gatshëm nga media. Kështu për disa orë dhe disa muaj publiku i qënieve të zbrazura mbllaçit, gjykon dhe përgojon ekzistencën e personazheve në "Big Brother."

Pasi të ketë mbaruar " Big Brother-i", e njëjta çetë përgojuesish do të gjejë gjahun e radhës. Gjahu mund të jetë fqinji, kolegu apo i afërmi. Nuk ka rëndësi se kush është. E rëndësishme është që përgojuesi të gjejë gjithçka dhe gjithkënd veç vetes së tij, pasi sikundër ka thënë me të drejtë një burrë i mençur; Kush nuk ka se çfarë të vështrojë brenda shpirtit të tij, do të vëzhgojë gjithçka që ndodh rreth tij.

Post Scriptum- Kush nuk ka një jetë, përgojon një jetë tjetër.

 

Po ndodh...