Princi pa kurorë dhe pa fat!
Princ Leka II i dha fund një martese 8-vjeçare me Elia Zaharin. Lajmi u njoftua nga familja mbretërore shqiptare, në një postim, që e ndau vetë Princ Leka në rrjetet sociale.
41-vjeçari shtatlartë, me pak mjekër, i veshur me një xhaketë sportive dhe me theksin e butë afrikano-jugor, u fotografua në aeroportin e Rinasit, pak ditë pas shpalljes së divorcit, me fotografen Blerta Celibashi.
Leka është aktiv në Facebook dhe Instagram dhe herë pas here hyn në Twitter, ku ndan me të tjerë një “kombinim të ngjarjeve personale dhe zyrtare”.
Në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, familjet mbretërore shihen në mënyra të ndryshme; herë si atraksione turistike apo udhëheqës shpirtërorë, e herë tjetër, si simbole të identitetit kombëtar. Në Shqipëri nuk ndodh kështu. Ai duket i kapur mes së shkuarës dhe së ardhmes. Andaj, nisur nga kjo, i ka caktuar vetes një detyrë tepër të vështirë, të veprojë si një figurë unifikuese në një vend të varfër me një sistem politik ende të gjymtuar nga gjysmë shekulli totalitarizëm.
Ai është djali i vetëm i një djali të vetëm. Ndryshe nga i ati, i cili arriti të paktën të turbullojë ngjarjet e kohës, Leka II, veç në dy raste, ka arritur të kalojë “Atlantikun”: i pari, lajmi i martesës dhe i dyti, ai i divorcit.
Martesa e nipit të Ahmet Zogut, të parit mbret të shqiptarëve, Leka II, me aktoren Elia Zaharia, ishte e dyta martesë e tillë që bëhej në Shqipëri, pas të parës dasmë mbretërore të organizuar më 23 prill 1938, ajo e Mbretit Zog me Geraldina De Nagy Appony.
Dasma e Princit zgjati gjatë gjithë ditës. Ishte rreth 500 numri i të ftuarve që uroi çiftin, ndërsa në mbrëmje u zhvillua darka zyrtare. Stacioni i fundit i dasmës princërore ishte atje ku nisi gjithçka: te Pallati i Brigadave! Njësoj si në pjesën e parë të ditës, në tapetin e kuq kaluan emra të rëndësishëm të familjeve aristokrate e atyre mbretërore.
Binte menjëherë në sy ndryshimi i veshjes dhe impenjimi i secilit për të qenë në lartësinë e një dasme të tillë. Njëzet familje mbretërore dhe më shumë se 100 aristokratë nga e gjithë bota morën pjesë në dasmë, ky ishte më të vërtetë një tregues i rëndësisë që kanë familjet mbretërore.
Edhe lajmi i divorcit s’mund të ishte ndryshe. “New York Post” i kushtoi një vëmendje të veçantë një lajmi të tillë, ashtu edhe revista “People”. Në vitin 2016, Elia dhe Princ Leka u martuan. 4 vite më vonë erdhi në jetë bekimi i parë i tyre dhe duket se i vetëm për çiftin, vajza e tyre Geraldina. Ishte pikërisht datëlindja e tretë e vajzës që nxori në pah distancën mes Elias dhe Princit. Në fakt, daljet publike të çiftit në krah të njëri-tjetrit, mungonin prej rreth dy vitesh. Ata do vazhdojnë të kujdesën në mënyrë të barabartë për vajzën e tyre Geraldina, pasi si Elia ashtu edhe Princi kanë kërkuar që asnjë rutinë e saj të mos cënohet dhe mbi të gjitha që ajo të mos e ndjejë aspak divorcin e prindërve të saj. Madje ky divorc, nuk do të privojë as Elia Zaharin nga trashëgimia pronësore e Familjes Zogu, pasi ajo do të marrë pjesën e saj.
Leka II ka jetuar një jetë modeste. Të paktën kështu është raportuar gjithmonë nga mediat. Pallati origjinal mbretëror u konfiskua nga komunistët në vitin 1946 dhe familja mbretërore nuk merr asnjë financim nga shteti. Ai nuk ka asnjë rol të njohur me Kushtetutë. Dhe ka zero shanse për të rifituar fronin. Por vazhdon dhe jeton nën frymën e familjes mbretërore.
Emri i tij, tregon historinë e familjes. Zogu është për gjyshin e tij, një bej, i cili u bë kryeministër i Shqipërisë në vitin 1922, u bë president tre vjet më vonë dhe mbret në vitin 1928. Kjo marrëveshje zgjati për 11 vjet, përpara se Musolini të pushtonte në vitin 1939, duke e bërë Shqipërinë pjesë të perandorisë italiane. Zogu iku në Greqi, së bashku me gruan e tij, Geraldinën dhe djalin dyditor, emri i të cilit më vonë do të quhej Leka I.
Më pas, familja u transferua në Turqi, më pas Francë, Londër, pastaj Egjipt dhe sërish në Francë, ku Zogu ndërroi jetë në vitin 1961. E veja dhe djali u transferuan në Spanjë dhe më pas në Zimbabve përpara se të përfundonin në Afrikën e Jugut. Kurse emrat e tjerë që i vijnë pas, Leka Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe Zogu, janë për nder të udhëheqësve që kanë ndihmuar familjen mbretërore në mërgimin e gjatë. Anwar është për presidentin egjiptian Anwar El Sadat. Reza për Mohammad Reza Pahlavi, shahun e fundit të Iranit. Baudouin për Boudewijn, xhaxhai i mbretit aktual të Belgjikës.
Disa vende që mërguan monarkët e tyre në favor të fashizmit, komunizmit ose sundimit ushtarak – Greqia, Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria – i lejuan familjet e tyre mbretërore të kthehen në shtëpi, duke bërë pakte të vështira me historinë. Ata janë mbretër, por jo mbretërues. Thjesht monark pa fron. Dëshmi kjo e lojës së hidhur të historisë.
Edhe Leka II është një dëshmi konkrete e kësaj loje. Një princ mbretëror që jeton në një republikë demokratike. I cili, nëse do përkufizohej vetëm në tre fjalë, do tingëllonte kështu: Emër i madh, shfaqje e butë me një grusht llogarish në mediat sociale. Kaq!
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128