Pse eurodeputetët duhet të takojnë Berishën?

Nëse ka momente kur Berisha zhburrërohet dhe me të drejtë mbushet me mllef për këto delegacionet perëndimore që vijnë në Shqipëri, është kur ata vijnë në Tiranë, takohen me qeverinë dhe opozitën, madje takohen me gjithë bashkëpunëtorët e tij, përveç atij dhe Flamur Nokës. Shumë vetëve nuk u bie në sy kjo puna e Nokës, se mendojnë që nuk e takojnë si budalla, por në fakt nuk e takojnë si “non grata”.
E njëjta skenë u përsërit sot. Delegacioni i Parlamentit Evropian u takua me PS dhe PD, por vetëm Jordia arriti të gjejë një “trim” brenda delegacionit që t’i shkonte në zyrë Berishës. Drejtuesit zyrtarë të delegacionit, përfshi gjermanin e djathtë McAllister, refuzuan publikisht ta takojnë atë.
Tani jam kurioz për diferencën e përshtypjeve që merr një eurodeputet që takon njerëzit e Berishës me përshtypjet që ka kur takon Berishën.
Trauma duhet të jetë e fortë. Deputetët e Berishës, edhe pse janë tërësisht lojalë dhe të përulur para tij, përpiqen që t’u transmetojnë eurodeputetëve, me gjuhën e tyre, problemet që ngre Berisha lidhur me korrupsionin, demokracinë, zgjedhjet etj.
Kurse ata që takojnë Berishën direkt dëgjojnë për “Epsteinin shqiptar” që është Ergys Agasi, për McGonigal-in që është Edi Rama, për burgosjen e çlirimtarëve të Kosovës në Hagë që i ka futur në burg Rama me Vuçiçin, etj., gjëra si kjo. Pra, ndryshe nga bashkëpunëtorët e vet që përpiqen të gjejnë akuza në Shqipëri dhe t’i përshtasin me standardet e BE-së, Berisha gjen skandale ndërkombëtare dhe i ilustron me Edi Ramën.
Pasi bën gjithë këtë punë, pasi e huton një eurodeputet që e quan disidencë takimin me të, ai pastaj përfytyron skenën kur ai shkon ua thotë shokëve të vet në delegacion dhe ata në një zë i thonë: “Lëre atë se ka 35 vjet ashtu”.
Dhe natyrisht ka arsye të dëshpërohet.
Tani Bashkimi Evropian dhe sidomos e djathta evropiane duhet ta zgjidhin këtë punën e përfaqësimit me Berishën në Shqipëri. Ata vërtet kanë në dorë ta izolojnë Berishën, siç bëjnë, por nuk kanë në dorë ta zgjedhin atë në krye të PD apo ta shkarkojnë. Ai është kryetar i Partisë Demokratike në Shqipëri, anëtare e Partive Popullore Evropiane, dhe aleate e CDU-së së McAllister-it që refuzon ta takojë.
Ky refuzim për ta takuar e forcon Berishën më shumë brenda trushpëlarëve të vet. Ata përballuan “non grata”-n e SHBA-së e jo më bojkotin e Bashkimit Evropian. Kjo që këta takojnë bashkëpunëtorët e Berishës dhe refuzojnë Berishën është banale.
Nëse ata duan që PD të mos përfaqësohet nga Berisha, duhet ta adresojnë këtë brenda Partive Popullore dhe ta detyrojnë që, nëse nuk ka një lider të ri, statusi i PD si anëtare të pezullohet deri në rinovimin e udhëheqësit të saj.
Nëse e mbajnë anëtare të Partive Popullore, nëse nuk certifikojnë mënyrën se si ai e rrëmbeu PD me dhunë, nëse nuk shikojnë se si i “vetëpërjashton” zërat që vazhdojnë t’i dalin kundër, atëherë nuk di pse refuzojnë ta takojnë Berishën.
Ata po miratojnë veprimet e tij brenda PD, po miratojnë shkeljen me të dy këmbët të rregullave të lojës, po miratojnë betejën e tij kundër drejtësisë , dhe nuk ka kuptim të refuzojnë takimet me të.
Takimet me të mund t’i refuzojnë kur refuzojnë gjithçka të tij, jo kur pranojnë gjithçka nga udhëheqja e tij përveç atij fizikisht. Ai nuk ka kolerë; nuk është problem t’i japësh dorën. Problem është të ushqesh iluzionin që ai është kryetar i opozitës në Shqipëri dhe njerëzit të mendojnë se me të do vijnë në pushtet, edhe pse nuk i shkel njeri në zyrë.
Kolera që ai ka përhapur në opozitë është pikërisht injorimi i presionit perëndimor për të mos pasur në krye të PD një udhëheqës të akuzuar familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe presion ndaj drejtësisë.
Duke fituar imunitet nga kjo e keqe, opozita shqiptare sot ka humbur fuqinë të ndryshojë situatën në Shqipëri, pasi vetë kanë zënë qoshen më të keqe dhe çfarëdo që bën qeveria e relativizojnë.
Opozita shqiptare ka nevojë për një lider që të jetë stacioni i parë i udhëheqësve të Perëndimit në Shqipëri dhe t’i besojnë seriozisht se ai mund të tërheqë vagonat e Shqipërisë drejt Perëndimit, jo për një lider që kthen nga rruga çdo perëndimor që vjen në Tiranë.
Ndaj kjo që bëjnë të djathtët evropianë, që vijnë këtu, injorojnë Berishën dhe bëjnë sikur takojnë PD duke pirë kafe me ata që Berisha i mban në PD vetëm sepse është i izoluar nuk është e drejtë.
Ata ose duhet të takojnë Berishën dhe t’u thonë shqiptarëve se edhe ky mund të fitojë me mbështetjen tonë, ose të shkojnë e ta takojnë dhe t’i thonë në sy: me ty PD nuk vjen në pushtet.
Kjo metodë, që bëjnë sikur janë me PD, por jo me Berishën, është hipokrizi, pasi duket sikur PD është parti demokratike dhe aty njerëzit zgjidhen me rregulla për shkak të aftësive të tyre.
Aty, edhe po mendove kundër Berishës, “vetëpërjashtohesh” si te Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, e jo më të veprosh kundër vullnetit të tij.
Ndaj BE, por sidomos të djathtët evropianë, duhet ta ndajnë mendjen: nëse u duhet PD, duhet ta pranojnë atë si pronë private të Berishës. Nëse nuk e pranojnë dot me Berishën në krye, ta përjashtojnë. Por jo të shkojnë te shtëpia e tij e të takojnë rojet dhe shërbëtorët e tij.
Po ndodh...
ide
Pse eurodeputetët duhet të takojnë Berishën?
Kapja e shtetit edhe elitat shpirtshitura!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128