Pse Rama&Berisha&Meta po blejnë kohë, edhe pse nuk shpëtojnë dot?!
Kur pacienti, (Shoqëria) vuan nga një sëmundje e rëndë, (Korrupsioni 34 vjeçar), doktori, (SPAK&GJKKO), jep recetën me ilaçin më të fortë, (Drejtësi), që pacientit ti shpëtohet jeta dhe të bëjë një jetë të shëndetshme.
Faza fillestare e efektit të ilaçit të fortë sjell shumë dhimbje tek pacienti, por në fund e shëron atë.
Drejtësia e munguar për shumë vite në Shqiperinë tonë të dashur, krijoi shumë probleme me pasoja të rënda në shoqëri.
Nga padrejtësia e drejtësisë, burojnë të gjitha problemet:
Varfëria extreme, kriminalizim i shoqërisë, arsim me nivel të dobët, largim të rinisë, ikje të elitave etj, etj.
Kjo periudhë në dukje traumatike që po kalohet tani, është efekti i ilaçit të fortë, i cili po vepron mbi nivelet e larta politike që e kanë mbajtur peng shoqërinë për 34 vite. Është periudhë e dhimbshme por e domosdoshme, që të shërohemi.
Kaq e dhimbshme është sa të korruptuarit politikanë të këtyre viteve, edhe nëse deri pak kohë më parë mund të mendonin të largoheshin nga politika aktive, (Kuptohet duke katapultuar të deleguarit e tyre që të vazhdonin ta vidhnin popullin po për llogari të tyre), tanimë nga frika e SPAK, kërkojnë si mburojë petkun politik, vetëm që ta vonojnë ndëshkimin e tyre, se për ta ndaluar nuk e ndalojne dot më. Dhe e gjitha, edhe kjo shtyrje dhe blerje kohe bëhet sërish në dëm të shoqërisë, duke menduar si gjithmonë vetëm për veten e tyre dhe asgjë tjetër.
Le ta ilustrojmë me fakte këtë situatë.
Nëse Sali Berisha nuk do ishte i hetuar nga drejtësia dhe i shpallur Non Grata për korrupsion nga SHBA, a do ta kishte marrë peng Partinë Demokratike?! Unë besoj që jo. Por nga frika e drejtësisë bëri gjithë atë luftë duke përçarë dhe shkatëruar PD-në dhe hodhi petkun e kryetarit të partisë për të blerë kohë, në përpëlitje për ti shpëtuar drejtësisë. E gjitha, në kurriz të demokratëve.
Nëse Ilir Meta nuk do kishte frikën e drejtësisë mund të mos kthehej tek LSI, por të kishte mashat e tij aty dhe të vazhdonte që LSI të punonte për të dhe si përherë, në kurriz të shqiptarëve.
Që të dy u morën në hetim nga SPAK kur nuk ishin kryetar partie, por u bënë kryetar pasi ndien frikën e drejtësisë. Pra pasi kishte filluar hetimi për ta.
Dhe tani thonë po goditen krerët e opozitës nga amerikanët dhe europianët dhe "leva" e tyre SPAK!.
Në fakt opozitën po e godasin ata duke tentuar ta marrin me vete bashkë me fatin tyre penal.
Përsëri në dëm të shqiptarëve, vetëm për interesin tuaj personal. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Ramën. PS-së dhe pushtetit ai si individ, ja ka marrë të gjitha, por nuk i lëshon vetëm e vetëm, se i duhen si mburojë politike dhe fuqi kundrejt SPAK, ku hallet sapo i kanë filluar.
Të tre jetojnë në jerm, sepse vetëm kohë po blejnë. Nuk është larg dita e çlirimit nga mbeturinat politike 34 vjeçare. Do paguajnë dhe do vjellin, thjesht atë që kanë gatuar vetë!
Më i frikësuari nga të tre duket ai që reagon me gjasme ndaj ilaçit, (SPAK), si me kujdes, por që në fakt e di që e pret i njëjti fat si dy të parët. Është Edi Rama i cili duke parë dhe ndihmuar fshehtas kolegët e "opozitës", po bën çdo gjë që të mos lëshojë karriken e pushtetit.
Po bën çdo gjë që të blejë kohë, duke caktuar të ngjashmin Berisha si "opozitë të vetme" dhe "kundërshtarë". Por as ky nuk e ndalon dot atë që po vjen!
Mirë bëjnë që mbajnë njëri-tjetrin se hallin e kanë të përbashkët, por halli i tyre nuk është halli i shqiptarëve. As i demokratëve dhe socialistëve të ndershëm.
Kjo klasë politike e vjetër e ka mbyllur ciklin.
Sipas meje me turp, por gjithsesi drejtësia dhe historia do ti gjykojë përfundimisht.
Të vetmen gjë që kanë në dorë të bëjnë tashmë, (Nëse duan qoftë dhe një herë të vetme, të bëjnë një gjest të mirë për shqiptarët), është vetëm:
Të hapin krahun për rininë, për politikanët e papërlyer në korrupsion dhe të japin llogari para drejtësisë për mëkatet e bëra.
Për tu kthyer aty ku e nisëm.
Ilaçi (SPAK), po vepron dhe dhimbjet e forta që shkakton në momentet e para janë shenja të qarta që pacienti, (Shqipëria), do shpëtojë nga sëmundja ( korrupsioni) e rëndë shumëvjeçare.
Shqiptarët meritojnë shumë më mirë se kaq dhe shpejt do ta kenë!
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128