Rënia e sistemit filloi me Partinë Demokratike, dhe vazhdimi do të jetë me Edi Ramën

5 Qershor 2022, 08:43 / IDE NGA ERL KODRA

Rënia e sistemit filloi me Partinë Demokratike, dhe vazhdimi do

Ajo çfarë kemi parë prej një viti është shkërmoqja i Partisë Demokratike dhe rrokullisja e saj drejt asgjësimit si opozitë. Kësaj rradhe përçarja nuk është diçka e zakonshme që mund të riparohet lehtë, as produkt i ndonjë fraksioni që mund të integrohet brenda strukturës politike dhe programore të partisë. Gjuha e urrejtjes ka shpërthyer mes demokratve dhe votuesve si asnjëherë në 32 vite pluralizëm, dhe si kurrë më parë, përçarja ka shkatërruar të gjitha institucionet e ligjshme të partisë. Kuvende paralele, Këshill Kombëtar paralel, Kryesi paralele, Grup Parlamentar paralel, Kryetar Degësh paralel, sigla paralele, por mbi të gjitha, një luftë e pacipë sharjesh publike të padëgjuara më parë.
Përfundimisht, nëse Partia Demokratike nuk është asgjësuar akoma, kjo vjen se mbeturinat trupit të sakatuar akoma gjallojnë, njësoj si trungjet e një pylli të shkulur me rrënjë.
Por a e meritonte Partia Demokratike këtë lloj kasaphane të pashoqe, që për nga përmasat, nuk është parë që në vitin 1945?
Për të kuptuar se çfarë ndodhi, duket se është e nevojshme të shihet përtej Partisë Demokratike, duke përfshirë edhe Edi Ramën, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Fakti është se janë pikërisht këta tre individë që kanë diktuar të gjitha zhvillimet në Shqipëri përgjatë 30 viteve të fundit. Madje ata kanë diktuar gjithçka ka ndodhur në çdo familje shqiptare, në jetën e gjithsecilit prej nesh, që tek lindjet, vdekjet, dasmat, dramat dhe gëzimet tona; ata kanë diktuar edhe sasinë e ushqimit në tavolinat tona. Ata që nuk kanë duruar diktatin e tyre janë larguar nga vendi.
Gjithkush që ka bërë karrierë politike e ka bërë përmes këtyre tre individëve - çdo biznesmen i sukses'shëm biznesin e ka ngritur përmes tyre, çdo gjykatës dhe prokuror ka ushtruar profesionin sipas izës së tyre, çdo media dhe opinionist ka folur sipas interesit të tyre. Shkurt, në Shqipëri asgjë nuk ka ndodhur pa dëshirën e Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Ata kanë emëruar ministra, zv.ministra, drejtorë policie, guvernator banke, drejtorë bordesh, drejtorë të përgjithshëm, kryetarë bashkie; deputetë, presidentë.
Ata kanë bërë biznes me vetëm një grup të përzgjedhurish prej tyre; kanë ndërtuar pallate, vila, grataçela; kanë nxjerrë naftë, krom, bakër - kanë ndërtuar hidrocentrale, rrugë dhe ura me vetëm disa të përzgjedhur, kanë dhënë konçensione dhe PPP. Ata kanë përzënë investitorë duke i zëvëndësuar me spekullantë, kanë dhënë tendera, oferta të pakërkuara, hartuar ligje, dhënë liçensa, prerë pyje, ndërtuar gurore dhe resorte.
Ata kanë grabitur prona, vjedhur, shitur, zhdukur dhe tjetërsuar. Përgjatë 30 viteve ata kanë ndërtuar kastën e tyre, ushtrinë e tyre me militantë - gazetarë, militantë - zyrtarë shteti, militantë - gjykatës dhe prokurorë, militantë - ministra, militantë - zyrtarë policie, militantë - hajdutë dhe kriminelë.
Ata kanë kriminalizuar të gjithë hierarkinë e shtetit shqiptar, të gjitha zyrat, të gjithë zyrtarët. Ata kanë mbushur me hajdutë çdo strukturë dhe institucion, duke vënë në krye një kryehajdut.
Ata e mbushën Shqipërinë me drogë, prodhues dhe vend tranziti, duke e mbushur vendin me një ushtri vrasësish me pagesë. Mijra tonelata hashash u prodhuan dhe u trafikuan përgjatë 10 viteve të fundit, ndërsa bosët e drogës pushtuan dy kontinente - Amerikën Latine dhe Europën.
Për t'u rikthyer aty ku e nisëm - tek PD që po shkon drejt asgjësimit - në të vërtetë ky është vetëm fillimi i shkatërrimit, jo vetëm i saj, por edhe i krejt kësaj klase politike.
Në të vërtetë ne nuk kemi një Parti Socialiste, por kemi Edi Ramën. Po ashtu, nuk kemi një LSI, por kemi Ilir Metën. Ashtu siç nuk kishim një PD, por kishim Sali Berishën.
Edi Rama është në pushtet, ndaj partia është "e bashkuar" rreth pushtetit të tij, sa kohë që ai ushqen sistemin. Ditën që anija do fillojë të fusë ujë, atë ditë do fillojë lufta. Dhe sistemi do të bjerë duke shkërmoqur edhe unitetin e “popullit” me partinë.
Kur do të vijë ajo ditë?
Besoj se shenjat janë më të qarta se kurrë. Është e pamundur dhe krejt e pavend të mendosh se qëllimi ishte vetëm largimi i Sali Berishës dhe shkatërrimi i Partisë Demokratike. Kjo është e pamendueshme, e paimagjinueshme. Si kurrë më parë, Shtetet e Bashkuara janë përqëndruar në këtë pjesë të botës, dhe këtu aleatët e tyre jemi ne, shqiptarët. Prandaj operacioni do të vazhdojë, derisa të çlirohet vendi nga këta tre individë.
Ky do të jetë çlirimi real i Shqipërisë.

Po ndodh...