Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për një arsim elitar në Rajon!
Sot, është dita e parë e nisjes së arsimit në Shqipëri!
Sigurisht problematikat mbetet të mëdha, por sigurisht nuk mund të krahasohet situate aktuale më atë që kishim ne. Sot, është fakt se infrastruktura e shkollave është shumë më e mirë që ajo që kishim ne. Në kohën në tonë, shkolla kishin klasa të mbipopulluara dhe po ashtu, me ndonjë përjashtim të vogël, shkollat ishin ata që ishin trashëguar nga ish Regjimi.
Ne nuk kishim librari apo bibliotekë dhe shpesh ishte e vështirë apo thuajse e pamundur të gjenim libra që na nevojiteshin sidomos për orën e letërsisë. Shpesh na iknin edhe drita gjatë orëve të mësimit. Transporti publik ishte si më keq. Megjithatë, kam përshtypjen, se edhe brezi jonë ishte vazhdimësi e atyre brezave që përtej vështirësive dhe sfidave kishin etje për dije dhe akoma mësuesi gëzonte respekt si një figurë e lartë edukuese. Ndoshta, modeli shoqëror atëherë nuk ishte në krizë siç është sot, që modele të pasurimit të shpejtë kthehen si modele suksese duke vënë shpesh në diskutim nevojën për arsimim të lartë e të kualifikuar siç është situata aktuale. Përtej reformave të mëdha që janë bërë, ndonjëherë edhe shabllon dhe pa studime konkrete eksperimentale, mbetem i idesë që gjimnazi që kemi bërë ne, mbetet modeli më i mirë i një arsimimi shumë dimensional dhe serioz. Po ashtu mbetem i idesë se më i vështirë ka qenë gjimnazi sesa universiteti.
Dikush që mbaron me sukses gjimnazin nuk kishte problem të mbaronte studimet universitare në thuajse në të gjitha degët apo fakultetet. Reformat e vazhdueshme të korrikulave, ndonjëherë si nisma të personalizuara të ministrave apo të qeverive që kanë pasur, mendoj se në thelb e kanë dëmtuar eksperiencën e mirë që kishte sistemi para universitar shqiptar. Profilizimet e nën profilizimet, të bëra pa kritere studimesh shkencore, nuk mendoj se e kanë bërë më të mirë sistemin para universitar shqiptar. Përkundrazi, mendoj se e kanë dobësuar atë.
Sfidave e arsimit në Shqipëri janë të mëdha e këto janë shpesh pasqyre e sfidave e probleme që kalon vetë shoqëria. Lëvizjet e mëdha demografike të brendshme dhe të jashtme e kanë prekur edhe arsimin shqiptar. Kemi familje që vazhdojnë të emigrojnë brenda dhe jashtë vendit bashkë me fëmijët e tyre duke sjellë për fatin e keq mbylljen e shumë shkollave, sidomos në zona të thella të vendit. Emigrimi në vetvete ka prekur edhe nivelin dhe cilësinë e arsimit, sepse shpesh ata prindër që largohen, qoftë edhe jashtë vendit, janë kryesisht edhe mësues. Lëvizjet demografike që në thelb bëjnë pjesë tek të drejtat e njerëzve për të lëvizur dhe për të jetuar aty ku mendojnë dhe dëshirojnë, ka sjellë një mbipopullimit të qyteteve të mëdha si Tirana, ku infrastruktura e shkollave edhe pse është përmisuar shumë, sidomos nëse e krahasojmë me kohën tonë, mbetet përsëri larg standardeve të vërteta të BE apo të vendeve të tjera.
Infrastruktura nuk garanton në vetvete një arsim cilësor, por është një kusht i rëndësishëm që ai të jetë zhvillohet në kushtet normale dhe të ketë premisa për më mirë. Ne, në kohën tonë nuk kishim as ambiente sportive, as palestra e shpesh ora e fizkulturës ishte një lojë futbolli “kalçeto” ose konsiderohej edhe si orë pushim. Madje, kishte nga ata nxënës që orën e fizkulturës e përdorin si mundësi për të bërë përsëritjen e fundit të ndonjë provimi që kishin në lëndën që e pasonte. Sot, shumë shkolla të reja në Tiranë i kanë të gjitha mundësi dhe hapësirat për tu konsideruar shkolla moderne.
Në kohën tonë një problem serioz ishte edhe siguria e mjediseve shkollore. Sot, nuk e di se si është kjo situatë, por ka përpjekje dhe plane serioze nga Policia e Shtetit. Sfida më e madhe aktuale është mendoj rikthimi i dashurisë për dije tek nxënësit. Pra, mund të bëjnë shkolla të bukura e moderne, por nëse nuk rikthejmë dashurinë për dije, misioni i tyre do të jetë i dështuar.
Gjithashtu, mendoj se edhe realiteti i shoqërisë ka ndryshuar dhe bashkë me to edhe nevojat për profesione. Të gjithë duhet të kenë mundësi të vazhdojnë studimet universitare, por jo të gjithë detyrimisht, ndonjëherë edhe për shkak të insistimit prindëror duhet t’i kryejnë ato studime. Mendoj, se më shumë se kurrë vende ka nevojë për zanate dhe profesione që sigurojnë punësim në tregun e punës pa pasur obligim studimet universitare. Prandaj, duhet të ketë projekte serioze të shkollave të mesme profesionale, sidomos ato që kanë të bëjnë me IT, turizëm, mekanik, hidraulik dhe elektricist. Shqipëria, si pasojë e largimit thuajse masivë, sot në tregun e punës ka nevojë të madhe për këto kualifikime. Arsimit profesional duhet t’i jepet një rëndësi e madhe dhe një përparësi. Arsimi i mesëm duhet të jetë edhe një filtër dhe një orientues për degët universitare që garantojnë punësim thuajse të menjëhershme sapo t’i kenë kryer. Ideja prindërore se un kam qenë oficer dhe fëmija do të jetë oficer me çdo kusht, janë teori të gabuara që nuk i shërbejnë më brezin aktual.
Problem serioz mbetet sigurisht raporti mes arsimit privatë dhe publik. Cilësia dhe standardi duhet të jenë njësoj. Arsimi publik duhet të mbetet opsioni bazë i arsimimit duke garantuar që të gjithë fëmijët, si ata të familjeve të pasura, por edhe ata me të ardhura të vogla të kenë mundësi t’u japin një arsimim dinjizot fëmijëve. Pra, të mos ketë diferencim në “start”, shkak të mundësive ekonomike e sociale, por diferencimi mund të ndodh në vazhdim për shkak të cilëve individuale të cdo nxënësi apo student.
Duhet të investohet më shumë në konvikte për nxënësit e shkollave profesionale, por edhe për studentët që vijnë nga rrethet me të ardhura minimale familjare. Duhet të ketë politika serioze të bursave të studimit, të mensave të konviktorëve, por edhe shumë të drejta të tjera që u takojnë nga “Karta e Bolonjës”.
Korrikulat duhet të jenë rezultat i studimeve serioze shkencore dhe po ashtu përveç se duhet të ketë tekste alternative, duhet të ketë komisione serioze shkencore që vetëm mbi kriterin e shkencës dhe të meritokracisë mund të bëhen tekste shkollore. Përzgjedhja dhe emërimi i mësuesve duhet të bëhet vetëm mbi kritere meritokratike e politika duhet të heq dorë nga dominimi i sferës së arsimit.
Shqipëria, ka potenciale reale për të pasur një sistem arsimor elitar para universitar në përgjithësi, por në veçanti të atij universitar. Duhet të rritet marrëveshjet e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe duhet të rritet impenjimi dhe pjesëmarrja në shkëmbimet “Erasmus”.
Përtej, këtij realiteti dhe sfidave, ju uroj të gjithë nxënësve e në veçanti atyre që do të ulen për herë të parë në banka këtë vit: shumë suksese dhe të mos heqin dorë nga rruga e dijes. Suksese të gjithëve padyshim si dhe vetë mësuesve që punojnë në kushtet shpesh jo të mira dhe në një realitet të vështirë social përmes të cilës po kalon vendi.
ide
Kush e kërkon dhe kush investon te kërkesa për qeveri teknike?
Diplomacia fetare e Turqisë!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128