SPAK-u si zgjidhje “Deus ex machina”

24 Gusht 2022, 17:25 / IDE ALFA PRESS

SPAK-u si zgjidhje “Deus ex machina”

Nga: Namir Lapardhaja

1.

Siç më ka rrëfyer dikur Simon Vrusho, aty nga viti 1994, ndërsa shihte tatëpjetën që kishte marrë Shqipëria, ai kishte udhëtuar për në Tiranë dhe kishte trokitur në derën e kreut të SHIK-ut, B. Gazidedes, të cilin e kishte pyetur se çfarë është duke ndodhur në këtë vend. Të dy i lidhte një miqësi e hershme nga koha e studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Është i vetëkuptueshëm sensi konfidencial i bisedës. Gazidedja i kishte thënë se e kam njoftuar Presidentin e Republikës për të gjitha problemet e ministrave të tij, për fajdet dhe për gjithçka negative dhe, kur ishin duke u ndarë, i kishte thënë edhe diçka tjetër, për të cilën e solla në retrospektiv këtë fragment: “Punët në këtë vend janë aq keq saqë njeriu e ka të pamundur të ndryshojë gjë... Vetëm po ndërhyri Ai lart (duke bërë e shenjë nga qielli) mund të kemi ndonjë shpresë për mirë.”

2.

“Deus ex machina” është një term që vjen nga antikiteti greko-romak. Kemi të bëjmë me një mekanizëm që përdorej në tragjeditë e kohës, nëpërmjet të cilit perënditë ndërhynin dhe shpëtonin heronjtë mitik pasi atyre nuk u kishte ngelur kurrfarë rrugëdaljeje. Mendohet se i pari që e ka përdorur këtë gjë është Eskili, por ai që e perfeksionoi është Euripidi me tragjedinë “Medea”, fundi i së cilës mbyllet pikërisht me një zgjidhje të tillë, ku heroinës, që kishte vrarë fëmijët e saj, i zbret një karrocë qiellore dhe e shpëton nga hakmarrja e bashkëshortit. Të njëjtin mekanizëm e ka përdorur shumë shekuj më vonë Shekspiri tek tragjeditë “Makbethi” dhe “Hamleti”, ndërsa nga autorët shqiptar më vjen ndër mend Petro Marko tek romani i tij “Qyteti i fundit”, që realizon të njëjtën zgjidhje mekanike për personazhin e tij, Ana-Marian.

3.

Në kushtet e një Shqipërie që ka ngecur në vend numëro përsa i përket qarkullimit të elitave, të marrë peng nga e njëjta klasë politike prej tri dekadash; të një korrupsioni qeveritar galopant në të gjithë arteriet; të një grushti politikanësh që kanë rënë dakort për të mos rënë dakort dhe për të sulmuar njëri-tjetrin sipas parimit “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”, për arsye të ruajtjes nga efekti domino – ruajmë njëri-tjetrin, sepse po ra një bien të gjithë; të një populli anemik, që e ka humbur forcën për të reaguar dhe për të ndëshkuar me votë drejtuesit e tij; të një politike ndërkombëtare që si kryefjalë të saj ka shpallur luftën kundër korrupsionit ndaj elitave politike; të një gjeo-politike që i intereson një rajon i qetë dhe që i frikësohet ngjalljes së fantazmave të së kaluarës; të një Reforme në Drejtësi, që ka shansin e fundit për të vënë drejtësinë e shumëpritur në këtë vend, për shkak të mbështetjes së madhe që ka marrë, ndërkombëtare (SHBA-BE) dhe vendase (e votuar me 140 vota); të një vendi që shpopullohet përditë dhe më frikshëm, sepse këtu asnjë nuk ka më shpresë se mund të ndryshojë diçka..., e vetmja zgjidhje që ngelet është besimi tek funksionimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili është një investim strategjik ndërkombëtar, me mbështetje euro-atlantike, dhe që në këtë rast është në përputhje të plotë me kërkesat dhe pritshmëritë e popullit shqiptar.

Nuk mund të themi se deri më sot SPAK-u ka qenë në lartësinë e duhur. Pavarësisht presioneve të gjithanshme, ai është vetëm në fillimin e një misioni që mund të rezultojë historik dhe mund të transformojë të gjithë elitën politike në vend.

I sulmuar nga të gjithë krahët e politikës dhe nën avujt e një mosbesimi në popull se mund të goditen dinosaurët e politikës, SPAK-u ka dhënë shenjat e para, duke goditur segmente të caktuara brenda mazhorancës dhe ka hapur një hetim ndaj ish-Presidentit Ilir Meta. Të dyja duhen parë si ogur i mirë për shoqërinë shqiptare, por nuk mjaftojnë. Hetimet për çështjen e inceneratorëve, të cilat mund të rrëzojnë qeverinë Rama, duhet të thellohen dhe të shkojnë deri në fund, në mënyrë që besimi të rritet dhe dyshimet të veniten. Po ashtu, dosjet e mëdha të korrupsionit qeveritar 30-vjeçar duhen hetuar, në mënyrë që njerëzit të shpresojnë se gjërat kanë nisur për mirë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është sot përballë një sfide të madhe: ata duhet të justifikojnë vetveten dhe besimin e publikut. Ata mund të shndërrohen në një mekanizëm shpëtues, transformues dhe zhbllokues. Atë që nuk e bën dot vota e një populli të varfër, ta bëjë drejtësia me mbështetje ndërkombëtare.

 

Po ndodh...