Vdekja e rrejshme

22 Nëntor 2024, 12:07 / IDE NGA ERL KODRA

Vdekja e rrejshme

Lajmi se ata të tre kishin vdekur nga një sëmundje e pakuptueshme pushtoi me shpejtësi të gjitha lajmet kryesore të planetit. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që ata të tre të gjendeshin në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, dhe mbi të gjitha, të vdisnin njëherësh nga një sëmundje e rrallë, që ishte zhdukur prej miliona vjetësh - qysh në epokën e dinosaurëve.

Me thënë të drejtën edhe vet diagnoza që mendohej se u kishte shkaktuar vdekjen ishte disi e dyshimtë, ndaj nuk vonuan edhe teoritë konspirative se këtu ka dorë Amerika, përndryshe këta të tre do të trondisnin nga themelet politikën e kalbur botërore. Por ç'e do, vdekja t'i pret krahët, duke lënë pas një zbrazëti që nuk ke me çfarë ta mbushësh.

Kështu, pa vonuar filluan të mendojnë se kush do t'i pasojë këta tre burra që i lanë duart me këtë botë në kulmin e fuqive, duke lënë jetim një popull të tërë. Televizonet nuk do t'i kishin më në studiot e tyre ditëve të enjte në orën 21:00, ndërsa më e rënda ishte se analistët nuk po e merrnin veten nga tronditja. Flitej se njëri prej tyre kishte tentuar të vriste veten duke u hedhur nga maja e një kulle në Bulevard, por në momentin e fundit i kishin mbushur mendjen të tërhiqej, duke i thënë se trupi i njërit prej tyre do të ballsamosej, për t'u varrosur tek Piramida në një arkivol kristali.

- Domethënë unë mund ta shoh përditë? Sa herë të dua - kishte pyetur ai me dyshim.
- Sigurisht, madje mund të kthesh edhe ndonjë gotë, sepse aty do të ndërtojmë një BAR special, ku të pranishmit mund të shijojnë edhe fjalimet e Tij.

Një analist tjetër nuk dilte nga shtëpia, kishte lënë punën, fikur telefonin, mbyllur dyer dhe dritare dhe shkëputur çdo lloj komunikimi me botën e gjallë, dhe qante papushim. Gruaja dhe fëmijët i luteshin tek dera që të mblidhte veten se jeta vazhdon - por ai përgjigjej se tani bota i duket një vend i ftohtë dhe pa pikë kuptimi.
- M'u ka këput diçka m'u këtu - kishte thënë analisti tjetër me gjysëm zëri - nuk kam asnjë motiv pse të jetoj.
Dita e parë ishte shokuese për opinionin publik, megjithatë, pas stuhisë së parë në facebook, twitter dhe tik-tok; pasi studiot e lajmeve kishin rralluar lidhjet live nga qendra e kryeqytetit, pikërisht atëherë kur qytetarëve po u mbylleshin sytë për gjumë - vjen lajmi bombë - se njëri prej të vdekurve kishte shfaqur shenja; disi të çuditshme, dhe kishte dyshime se është gjallë. Domethënë, ai nuk kishte vdekur tamam, por kishte rënë në gjendje kome, ose gjendje vegjetative siç thuhej ndryshe. Shpresat se ai do t'ia hidhte edhe njëherë vdekjes ishin ringjallur, ndërkohë rifilluan si me magji lidhjet live, kësaj rradhe nga Spitali Amerikan, ku ishte transportuar me shpejtësi njëri prej të vdekurve, por që nuk kishte vdekur plotësisht.

Nuk u mor vesh se nga erdhi ky lajm, por njëra prej reportereve të kronikës së zezë, bashkë me reporterin tjetër të një televizioni ndërkombëtar, deklaruan se kishte dyshime të arsyeshme se të tre mund të ringjallen, dhe se vdekja ishte një simulim i tyre, për të parë se si do të perfomonte populli para, gjatë dhe pas vdekjes së tyre. Pra, ajo që nuk u mor vesh ishte burimi, dhe ku mbeshteteshin dyshimet e arsyeshme që ata të tre e kishin simuluar vdekjen për qëllime të pakuptueshme.

Lajmet dhe folësit nëpër studiot televizive zienin; facebook ra katër herë, twitter pesë herë, ndërsa tik-tok i kishte rezistuar zjarrit të atij momenti. Populli ziente nëpër shtëpitë e tyre, sidomos blloku që shtrihej pas kullave binjake. Në rrugë kishin dalë blindet me ushtarët e NATO-s, që patrullonin Bulevardin në tërë gjatësinë e tij, bashkë me Sheshin në mes.

Në një nga televizionet kombëtare, i shoqëruar nga 25 kamera që regjistronin live, të paktën kështu shkruhej krahas siglës së televizionit të njohur, po fliste kryebashkiaku i kryeqytetit europian, për masat e marra për të menaxhuar dhimbjen e madhe që kishte pllakosur vendin.

- Dhimbja - po thoshte kryebashkiaku - do të na bëjë më të fortë, më të bashkuar, sepse kështu do të shohim përpara, duke lënë pas të kaluarën e ndritur, për të përqafuar të ardhmen e jashtëzakonshme. Ne i mbijetuam tërmetit, i mbijetuam COVID-t, i mbijetuam fashizmit, komunizmit dhe demokracisë; prandaj e them me bindje se do t'i mbijetojmë edhe kësaj fatkeqësie, duke u ringritur më të fortë, më të bashkuar, për të bërë punë të mira në këtë vend, siç është mbjellja e pyllit orbital.

Duke qene se kryebashkiaku po fliste live dhe 25 kamera regjistronin pa ndërprerje çdo detaj, njëra prej tyre kishte kapur një djalë me kostum të zi, që ishte afruar vjedhurazi tek vendi kur fliste, duke i lënë një letër në dorë. Kryebashkiaku e kishte hapur letrën me njëfarë kureshtje, por papritur fytyra i kishte marrë një çehre të keqe, njëlloj ngërdheshje e egër, të paparë ndonjëherë. Ashtu siç ishte, ai e kishte mbledhur veten duke thënë:
- Vëllezër qytetarë, kam një lajm të tmerrshëm, më falni fantastik, thuhet se ata janë gjallë. Por mos të mbajmë shumë shpresa, se ku i dihet.

ide