AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Azgan Berbati!
AlfaPena është nisma më e re në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë shqipe të çdo poeti dhe shkrimtari.
Azgan Berbati sjell për AlfaPena ciklin poetik të freskët dhe të pabotuar!
Cikli me poezi:
DEHJE
Ti je vjeshtë,
Ku rrushi i zi
Piqet në sytë e tu.
E damarëve rrjedh vera,
Që i deh sytë e mi.
Në qiell,
yjet hapin zjarr
Dhe shembin fortesën e territ.
…
Gjatë dehjes, gjatë puthjes.
MUNGOJ
Ka kohë që mungoj
Në qytetin tim.
Ku vdekja e mundi jetën,
E rrena të vërtetën.
Mungoj rrugëve,
Ku kam ndeshur dashurinë.
E ecur hutimthi kam,
Me revolucionin e thyer
në torbën e shpirtit.
Mungoj në dasmën e ish-të dashurës,
Hipokritja ime,
Bën be që e do të shojn'
I pari dhe i fundit,
Në fjalën e saj.
Mungoj bisedave orëvona.
Thirrur nga shpirtrat-shokë.
Në buzëmbrëmjet e dridhta
(Pa)fund…!
Drurët, stinët, ujrat, qiejt
Që i vodha për t’i zbukuruar fjalët.
Më thërrasin.
Por s’jam aty
Siç asgjë nuk është…
Çudi!
Tërë këto mungesa
I justifikon veç vdekja.
Por akoma më çudi,
Kur mungon edhe aty.
TEKTONIKA E SHPIRTIT
Çel pranvera,
në zemër të vdekjes.
Siç çel zogu,
Nga vdekja e vezës,
Apo bari nga ikja e vesës.
Çel jeta,
Nga vdekja e vdekjes,
(Dhe dashuri).
Por veç një gjë nuk çel më kurrë:
Zemra që ka vdekur brenda zemrës
(Ah, jo më)!
KOHË VETMISH
Në buzëmbrëmjet e dridhta,
Vetmia ime dhe mungesa jote
Kanë qëndruar gjatë bashkë.
Kanë pirë dhe janë dehur,
Pastaj kanë kuptuar
Vdekjen e së djeshmes,
Foshnja e kohës së shkuar.
Vetmia jote dhe mungesa ime,
Kanë bërë dashuri.
Ah, dashuri,
Moda që s’ndërroi kurrë!
Vetmia ime dhe mungesa jote
Nuk janë tonat,
Por të njëra-tjetrës.
E nesërmja lyp sy,
Për fatin e paditur.
Ndërsa e sotmja,
Shkruan dëshmi të rrejshme.
Vetmia jote dhe mungesa ime
Mbeten të njëra-tjetrës,
Deri kur të takohen me ne.
ËSHTË NJË ZOG
Në vezën e dritës,
Qiejve
udhëton zogu
Që ka me e çelë
Ditën e re, nesër.
Prej kohësh ky zog
Ka qenë ngushëllimi im.
Madje edhe atëbotë
Kur dita s’dukej gjëkundi,
Dhe e nesërmja ishte larg.
Shpesh edhe vdekja
S’më ka duruar.
Pastaj vinte dikush,
E më jepte pak zemër nga vetja.
Sa për t’u ndier gjallë,
(O, shpirt)!
“Unë vij sa herë ke nevojë,
Se është një zog
Që më flet te veshi”…
Tregonte syzeza
Bukuria e djeshme!
Udhëtar i përbotshëm,
Ky shtegtar i amanetit
Ruan dritën e njerëzisë.
Bukuria e djeshme,
Ujrave të perëndimit,
Ma ka borxh
Një grimë shpirt…
*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al
A do ta fitojë SPAK luftën, me klasën politike të korruptuar?
ide
Disa probleme serioze në lidhje me votën e Diasporës!
Sot je, nesër s’je!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128