AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Eduart Ymeri!

20 Shtator 2024, 21:56 / JETË ALFA PRESS

AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Eduart Ymeri!

AlfaPena është nisma më e re në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë shqipe të çdo poeti dhe shkrimtari.

Eduart Ymeri sjell për AlfaPena ciklin poetik të freskët dhe të pabotuar:

LËMSHI

Pak bukë ka djali në trastë,
një lëmsh në gjoks sa hëna.
Grindet me lëmshin nëna.

Në futë ka nëna drudhe buke,
përveç barrës një gur të rëndë.
Djali mundohet ta thyejë me këmbë.

TEHU I MPREHTË

Përballë,
faqja e murit e bardhë,
tek-tuk ndonjë pikë e zezë
që humbasin çdo mëngjes,
por Largimi shikon thellë
shtëpinë me gur në ngjyrë të verdhë,
dhe pshet kokën në atë prag
të jetojë sikur edhe pak
si fëmija dikur mbushur me ngjyra kraharorin plot
e ta krahasojë me atë që është sot,
se për më të mirin ka nevojë kjo botë.

* * *

Dheu i mëmës,
troket gotën me lumin e babës.
Në mes të sofrës, unë një portokalle.
Thika dhe pirunj hedhin valle.

Ngrihet i huaji të mbledhë tavolinën,
pjatat plot, për dore kapin rimën,
përndryshe do të më vinte mua radha
të tretesha nëpër dhëmbë si fjalët e bardha
që mbetën tridhjetë vjet të vogla në kopshtet e politikanëve.

Ferrat, u hanë zemrën fjalëve.

PËLLUMBI I BARDHË

Kishe lënë hapur dritaren
dhe asnjë ëndërr s’të rrëmbeu dot.
Unë, të shtrëngoja fortë
se zbardhej pas pak
dhe kjo botë
na do të dy, në një trup të fortë.

A të kujtohet,
ishe zgjuar kur të erdhi në jastëk
një zog i zi?
Ti s’ngurove, e puthe
dhe flakët e dogjën.
U mblodh i shkreti një grusht hi.

Më pas u ngrite e qetë,
mbushe dy lugë qumësht nga pjata e fëmijëve
dhe ia hodhe përsipër hirit.
More kafen që ta kisha bërë gati dhe dole në në ballkon,
unë thashë të laja shtëpinë dhe e zura nga hiri,
por as një thërrmie s’pashë.
Ti qeshe, Valentinë,
dhe më tregove me gisht lart në qiell, një pëllumb të bardhë.

*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al

Po ndodh...