AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Inida Brahimi!

22 Gusht 2024, 08:49 / JETË ALFA PRESS

AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Inida Brahimi!

AlfaPena është nisma më e re në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë të çdo poeti dhe shkrimtari.

Inida Brahimi sjell për AlfaPena ciklin poetik të freskët dhe të pabotuar!

Cikli me poezi:

O mall,
Koha ikën kaq ngadalë,
Si orë rëre që nuk ndal!

Tejendanë,
bota më duket kaq e shkretë,
E jeta pa ty s’është jetë.
Si mund të jetë?!

O mall!
O malli im,
Ka fjalë dhe heshtje,
që bëjnë largim.

Ka buzë në qeshje
që për harrim,
bëhen vetvete,
Gjer në mbarim të kësaj jete!

O mall!
O mall zemre!
Ti mendon se do ia vlente,
Të jesh në jetë por jo gjallë?!
O mall!

--------------------------------

Kur ai më shkruante letër,
Nga një dhomë e vogël diku tej në nord,
Hera-herës në një stol të vjetër,
Buzë lumit Tidan.
Thoshte se ishte njeriu më i trishtuar,
N’ato anë,
Ku pranvera kurrkund nuk dukej.
Libri i tij doli nga shtypi në maj,
E ai lumturisë ende i druhej.
Ç’i thosha? Që ende letrat e tij i mbaj,
Si vargjet që nuk thuhen!

----------------------------------

Bie shi,
Dhe koka ime mbështetur në xham
Thurr dantella mendimesh si ky.
Merre me mend boomerang-un,
Avullin e frymës fluide,
Hijen time.
Hernien e të dyve,
Ndrydhjen e tingujve,
Shpërbërjen e ADN-së,
Glukozën e njelmët.
Në majën e gjuhës të gjitha,
Janë gjëra të imta,
Të cilat, s’dyshoj se tamam këtë çast
I trazon në filxhanin e çajit.
Me jakën e xhaketës ngrutur rreth qafës,
Atje tej në një qytet arktik,
Mbetje ndijore në lugë të çeliktë!

------------------------------------

Vjen vjeshtë
Rrëshira shtron me nge
Degës që s’u bëre!

Unë pres
Rroj si dru gështënje,
Vdes si dru dëllënje

Në heshtje
Dy zogj ia thonë një kënge,
Rrëpirës atje.

Del hëna,
Një dalje kaq e qetë
Nga inflacion i përjetshëm.

E kënga,
Dy zogj flatrojnë në degë
Rapsod’ të pandreqshëm.

Dy zogj,
jo tre!
Trungu u shkërmoq rrëshirës me nge.

Degës që s’u bëre,
Në një trung gështenje,
Në një dru dëllënje!

--------------------------------------

Rrugën e kam përpirë,
Tej në ankth rri futur,
Vështrimi yt, violinë.
E flutura në trurin tim,
Është e lumtur!
Kur të kalosh nëpër shpirt,
N’atë kthinë të humbur,
Shtro një kopësht të këndshëm
margaritash,
A buketë tulipanësh,
Se kushedi,
Ndofta muret baroke të kraharorit,
Do e gjejnë fillin e historisë!

Rruga më ka përpirë...

*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al

Po ndodh...