AlfaPena/ Poezi nga Ilirian Zhupa: BURRI KA DALË NGA ZJARRI...

9 Shkurt 2025, 21:41 / JETË ALFA PRESS

AlfaPena/ Poezi nga Ilirian Zhupa: BURRI KA DALË NGA ZJARRI...

AlfaPena është një rubrikë letrare në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë shqipe të çdo poeti dhe shkrimtari.

Poezia: BURRI KA DALË NGA ZJARRI - Nga Ilirian Zhupa

Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret,
Dhe është ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shenja zjarresh përqark.
Ato shenja zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh,
Dhe lozin me atë që kanë At.

Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua,
Ka kaluar përmes tij lozonjare, e brishtë dhe e ka lënë të presë si fëmijë.
Kjo ka të ngjarë të ketë ndodhur me shumëkënd, po së pari, ka ndodhur me mua,
Kur u shfaqe ti!

Atëherë kam thënë me vete: -Ç’të bëj me bukurinë tënde, me sytë e tu që magjepsin,
C’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë.
Kam thirrur djajtë e zinj të më vijnë me të keqen, po ty s’të ka trembur e keqja,
Kam thirrur engjëjt, të të marr me të mirë.

Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur: -Kot thërret frikën, pajtimin.
Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…

Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka
E djeg qenien tonë./Alfapress.al

 

Po ndodh...