Antonio Vivaldi, magjistari i ndjenjave delikate, prifti që u bë mbret i barokut në muzikën klasike

10 Mars 2026, 20:22 / JETË ALFA PRESS

Antonio Vivaldi, magjistari i ndjenjave delikate, prifti që u bë mbret

Antonio Vivaldi, magjistari i ndjenjave delikate, ngadhnjimtari i shpirtit estetik, vigan i barokut në muzikën klasike. Ai cilësohet si një nga personazhet sa të rëndësishëm, aq edhe dominues në historinë e muzikës botërore.

Emri dhe vepra e tij janë pjesë e panteonit të vlerave krijuese, atyre që do të mbeten testament për gjeneratat dhe adhurim për shpirtrat e derdhur në dritën e hyjshme të përjetësisë së vlerave që e shndërruan virtuozitetin në tempull dhe muzikën në besim.

Antonio Vivaldi, është padyshim një personalitet i spikatur i muzikës italiane, një tokësor që predikoi fjalën e shenjtë dhe kungoi vullnesën hyjnore nëpërmjet muzikës në shpirtje e ndjenja, atëmot e në amshim.

Nëpërmjet muzikës së tij, Vivaldi ka prekur puhizshëm shpërthimin magjepsës të pranverave, gufimin e një sythi e syprinën dehëse të një lumi, valën lojcake të bregdetit e vetminë e hapave të një hutimi, prarimin e një pafajësie e adhën e perëndimeve që kridhen në kurmin dalldisës të dëshirave shpuese.

Kremtimi i tij muzikor lidhet ngushtaz me shpirtin e një dëshiruesi të thekur të së bukurës, të të perëndishmes, të vetë jetës. Ndjeshmëria, delikatesa, larmia e trajtesave dhe koloriteve, shëmbëllejnë jo vetëm atë që kumtimi i tij estetik u qas të regëtinte, por shënoi njiherësh dhe barokun në aktin e krijimit muzikor.

Varfëria dhe fama jetuan me të, atëherë kur ngjizej në kujtesën e historisë së muzikës, kur drojshëm hidhte hapin drejt përjetësisë. Ndërsa synonte Vjenën skamja e shtyu atë të shiste disa nga kryeveprat e tij, të cilat ne sot i njohim me tjetër emër autorësie. Gjithqysh, kësisoj u mbrujt ky emër i muzikës, kjo vepër e mbamendjes së barokut.

Po ndodh...