Ngjarja që ndodhi në komunizëm/ Një ditë dimri në Shkodër, sigurimsi sulmon në rrugë 79-vjeçarin, Mark Harapi
Edhe kur nuk ishte më në burg, jeta nuk ishte e thjeshtë për Atë Mark Harapin. Komunizmi i kishte hequr zhgunin e klerikut dhe mundësinë për t’u ushqyer, por nuk ishte i kënaqur. Ai përndiqej për t’u poshtëruar sa herë të shfaqej mundësia edhe pse në moshë të thyer dh e në gjendje të ligsht shëndetësore. Shkodrani Pjetër Logoreci ka sjellë për en.kujto.al kujtimet nga një ditë dimri e vitit 1969 kur një punonjës i Sigurimit e sulmon, e pështyn dhe më pas e rrëzon në rrugë atdhetarin, poliglotin, filozofin Mark Harapi.
I masakruemi
Nga Pjetër Logoreci
Dikur, si nxanës 12 vjeçar, u kthejshe n’ shpi te Arra e Madhe, tuj kalue nëpër nji rrugicë t’qetë t’Shkodres, ku gjindet shpia e Pashko Vasës. Ashtu si misteri i dyerve t’vjetrueme e i mureve t’nalta t’ksaj rrugice, m’kuriozonte edhe nji kalimtar i moshuem, me pamje t’ mjerueme e t’ lodhun, qi përshkohej aty pothuejse çdo mesditë. Kasketa e vjetër e rrasun mbi sy, nuk pengonte me vrojtue te i mjeri, tiparet e nji burrit fisnik, me fytyrë t’ mprehtë, me sy gri e autoritar, mustakë t’thinjun e t’ dendun, e nji hundë me kurriz, si shkabë malesh... Korpi i tij kocë e lkurë, i mbluem me nji pallto t’vjetër t’arnueme, kambët me plagë e shika prej galosheve t’çame qi i tërhiqte zvarrë, dy duer t’thata plot njolla t’zeza qi i dridheshin, qindronte n’kambë ndihmue prej bastuni t’moçëm me dru bjeshket.
Baba em m’diftoj, qi ky skamnuer ishte At Mark Harapi, nji gjigand i atdhetarisë, poliglot, filosof e përkthyes i vepres s’Aleksander Manzonit, qi dha ndihmesen e tij intelektuale n’fusha t’veçanta t’kulturës shqiptare. M’diftoj qi u “shpërblye me 20 vjet burg e internim politik” dhe qi mbijetonte nga lëmoshat e qytetarve t’Shkodres... por atë çka ndodhi me te, nji ditë t’akullt dimni t’vjetit 1969, tronditja e trishtimi ma mbyllën n’mende e n’zemren teme fmijnore për mos me e harrue kurr ma... N’mesditen e asaj dite t’kristalizueme, tuj çapitë kadalë, skamnori plak, po bante metrat e fundit për me mbrritë te dera e nji familjes zemerbardhë, qi për mshirë shpenzonte çdo ditë vaktin e mesditës për te, kur, ...nga bryli i rrugës (te shpija e Gjonejve), po duket nji alamet burri.
Veshja tij, pardesyja teritalit me rryp në mes, pantallonat e ngrituna mbi nyje t’kambës si dhe kasketa stil kinez, i jepte atij nji pamje qesharake, por t’frigshme sigurimsit... Mbasi ktheu kryet mbrapa, siç duket me u sigurue qi ishte vetëm, tuj injorue prezencën teme, ju afrue plakut dhe filloj me i folë tanë inat e zëmrim, me nji ton urrejtje qi mue m’drithtoj ma shumë se t’ftohtit. Shfrynte, shante e turfullonte me egërsi tuj i pengue rrugën viktimës, deri qi e rrasi për mur... Mandej, zgjati doren tuj e mbërthye t’mjerin e pafuqishëm prej jaket, e afroj drejt vedit dhe e pështyu mbi ftyrë... At Marku, i mbeshtetun mundishëm mbi bastuni e vet, tuj mos dashtë me u përballë me t’keqen, u mundue pa bëza, tuj i kthye shpinden, me vazhdue rrugën.
Sigurimsi, qi u ndi i sfiduem, me sa fuqi pat, i shkelmoj bastunin plakut qi hupi drejtpeshen u rrëzue tuj përplasun mbi ngricën e rrugës kryet e ftyren, qi ju mblue n’gjak. Edhe sot e ksaj dite, nuk di se si nuk m’plasi zemra, tuj mbetë i palëvizun si gur zallit, i pafuqishëm me vu dorë mbi çka ndodhi. Ndër kohë, nji grue shpijake qi siç duket, mbas grilave, e kishte vrojtue krejt ndodhin, duel prej nji dere tuj i ofrue ndihmë Atit të plaguem qi tregonte me dorë e sy kah dera e mëshirës, aty afer...
Pjetër Logoreci
Vjenë, 25.10.2019
Nga i buron guximi Edi Ramës që vijon të poshtërojë shqiptarët?!
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128