
Ndahet nga jeta gazetari, shkrimtari dhe botuesi i gazetës “KORÇA”, Vehbi Furxhi

Vehbi Furxhi ka lindur në qytetin e Korçës, në një familje nga më të vjetrat e të njohura të këtij qyteti. Ishte djali më i vogël pas dy vëllezërve të tjerë, por gëzimi i familjes edhe për një djalë tjetër ishte i madh dhe babai i tij Hasani, botoi lajmin në një prej gazetave të kohës në Korçë, pa e ditur se një ditë Vehbiu do të botonte një ditë pas ndryshimit të formës së regjimit qeverisës në Shqipëri, në vitin 1992 gazetën "Korça", duke ringjallur njëherazi si intelektual traditën e çmuar historike të gazetarisë përparimtare të Korçës në Shqipëri.
Babai i tij ishte mësues, gjyshi patriot, mik i Fan Nolit dhe përkrahës i Partisë së tij Liberale. Familja Furxhi ishte pjesë e parisë të kohës në qytetarinë Korçës dhe shquhej për traditën, ndjenjat e atdhedashurisë që i manifestoi edhe gjatë Luftës Nac. Çlirimtare... Vehbi Furxhi studio dhe u u diplomua në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe më pas kreu Kursin pas Universitar për Filozofi. Punoi mjaft vite në arsim si mësues , drejtor shkolle, drejtor i Pallatit të Kulturës Korçë, Shef i Seksionit të Arsimit Kulturës dhe Sportit për Korçën dhe Devollin, Drejtor i Kabinetit Pedagogjik, Drejtor i Radio Korça për gati 10 vjet në vitet 1980 deri 1989.
Por pasioni i vërtetë i tij ishin gazetaria dhe letërsia, ku u afirmua për talentin dhe guximin e tij krijues, të cilat në sistemin e monizmit e futën në telashe jo të pakta. Në korrik të vitit 1989 boton në revistën Hosteni Nr.13, në 2 faqe tregimin satiriko-humoristik me titull: “Tre rëfenjëza të VËRTETA” . Mbas botimit të këtij tregimi të anatemuar, i cili pati një jehonë të madhe poshtë te “masat popullore”, shitja e këtij numuri të së vetmes revistë satirike të përdyjavëshme në vend u ndalua dhe për autorin e rrëfenjëzave të hidhura me “bëma nga personazhe të Bllokut”, (që më pas shërbeu si subject i telekomedisë “Gjuetia e Sillos”), edhe pse njëherazi anëtar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe drejtor i Radio Korçës, që shpëtoi nga prangat, u morën masa të rrepta administrative nga pushteti i asaj kohe, duke i lënë në dorë shkumsin dhe fshirësen e dërasës së zezë, por pa mundur t’ia heqin nga dora lapsin që e mprehu edhe më shumë e botoi mjaf tregime të tjera, që i përmblodhi dhe i botoi në vëllime të ndryshme, duke u afirmuar si shkrimtar i prozës së shkurtër me vëllimet "Tri rrëfenjza të vërteta", Çobanka", "E harlisura" etj.
Vehbi Furxhiu është i njohur si publicist e veprimtar me kontribut të ndjeshëm social në proceset e demokratizimit të jetës së vendit deri në fund të jetës së tij. Ka qenë Zv/kryetar i Përgjithshem i Lëvizjes Shqiptare për Mirkuptim e Paqe dhe Kryetar i Kësaj Shoqate për Prefekturën e Korçës. Ka përfaqësuar Shqipërinë në 2 kongrese të paqes në Athinë dhe Selenik. Që nga dhjetori 1992 e deri në vitin 2020 ka botuar pa ndërprerje me shpenzimet e veta Gazetën e Pavarur "Korça". Si publicist nuk rreshti së shkruari në shtypin qendor reportazhe dhe artikuj problemorë, përveç shkrimeve në “Gazeta Korça” e cila ishte një gazetë investigative e Qarkut të Korçës dhe është autor i disa skenareve dokumentarësh në RTSH.
PARIMI i punës së tij dhe kodi etik e moral në punën si gazetar e drejtues medie ishte e vërteta, që është edhe kodi themelor i gazetarisë për të cilën nuk bënte kompromis dhe mbi këtë bazë si njeri i ndershëm dhe korekt ndërtonte mardhëniet jo vetëm me vartësit, kolegët, por edhe njerëzit e thjeshtë, duke kërkuar më parë më të mirën nga vetja, ndaj dhe ishte një figurë publike, që gëzonte respekt e mirënjohje nga të gjithë. I dashur dhe i sinqertë me një rrjet të gjerë shoqëror e përzemërsi të madhe për cilindo për ta ndihmuar. Xhevahir Spahiu do ta kujtonte në takimin e tyre në një veprimtari të klubit letrar “Bota e Re”, të Korçës Vehbiun, si mësuesin e parë në Skrapar ku ai filloi karrierën e mësuesisë, që e nxiti atë në bangot e shkollës 7 – vjeçare, në udhën krijuese për tu bërë poet kombëtar. Por dhe sa të tjerë i janë mirënjohës për ndihmën e tij një miku të tillë të çmuar...
Një ikonë publike e qytetit të lindjes, që u rrit e krijoi në vite personalitetin e vet me punë të ndershme e përkushtim ndaj shoqërisë e familjes së vet… Sa i dashur aq edhe i rreptë me fëmijët si t’i kish fëmijë dhe nxënës njëherazi, ashtu siç i pati dhe nxënësit që u dha Imësim dhe edukatë si fëmijët e vet, djalin dhe dy vajzat, të tre universitarë e qytetarë e familjarë shembullorë të traditës së shëndoshë qytetare të familjes, vajza e madhe e të cilit Enslemvera figurë e njohur sot si pedagoge, specialiste ekonomie, deputete e Korçës.
Pati mjaft vlerësime në jetën e tij Vehbi Furxhi me medalje e Çmime për punën e veprën e vet, por mbi të gjitha gazetari dhe shkrimtari vlerësonte lexuesin dhe gjykimin e tij për çka botoi e publikoi në faqet e gazetave e në krijimtarinë e vet letrare. Ikja e tij sot (nga një sëmundje e pashërueshme) si shkrimtar, gazetar publicist e veprimtar i pa lodhur shoqëror është një ngjarje e përzishme për ne kolegët e miqtë e tij, që i shprehin ngushëllime familjes dhe të afërmëve.
Lamtumirë, miku ynë!... Le të prehesh në Paqe të cilën e deshe për gjithë njerëzimin dhe luftove me fjalën tënde për të deri në fund!/Skënder Demolli

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128