Presidenti Begaj në Panairin e Librit: Gjithçka “flet” shqip, falë shkrimtarëve, përkthyesve dhe botuesve që ndjekin këtë traditë

17 Nëntor 2023, 14:48 / JETË ALFA PRESS

Presidenti Begaj në Panairin e Librit: Gjithçka “flet”

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, vizitoi sot Panairin e Librit që ka çelur dyert për publikun në Tiranë, për të 26-in vit me radhë.

Kreu i Shtetit u ndal në të gjitha stendat e botuesve shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë bisedës me botues, shkrimtarë dhe përkthyes Presidenti Begaj u shpreh se në këtë panair gjithcka “flet” shqip, me autorë të vjetër e të rinj, personalitete botërore me influencë në të shkuarën dhe të tashmen, dhe e gjithë kjo falë shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve që ndjekin këtë traditë të mirë.

Përgëzime për të gjithë ata që me pasion për dijen dhe gjuhën amtare po kontribuojnë ndjeshëm në ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar!”, – u shpreh Begaj.

Gjatë kësaj vizite Presidenti i Republikës bisedoi edhe me lexuesit e vegjël, të cilëve u përcolli përgëzime për praninë në panair duke u shprehur se “ata e duan librin, edhe pse janë brez i jetës virtuale dhe kjo është dëshmi e ruajtjes dhe e përcjelljes së një tradite të hershme shqiptare”.

U ndjeva plot gëzim nga fakti që sërish në panair pashë të gjitha moshat. Të shohësh të gjithë brezat në shtëpinë e dijes, të mbush me urtësi dhe shpresë”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili e vlerësoi Panairin e Librit si një “bibliotekë të madhe shqiptare”.