Shuhet në moshën 84-vjeçare ikona e kinematografisë shqiptare, ndahet nga jeta aktori i madh Birçe Hasko

23 Maj 2026, 10:59 / JETË ALFA PRESS

Shuhet në moshën 84-vjeçare ikona e kinematografisë

Një tjetër humbje e madhe ka tronditur botën e kinematografisë dhe artit shqiptar. Aktori i mirënjohur Birçe Hasko është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune, në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe publiku që e deshi dhe e duartrokiti për dekada me radhë.

I lindur në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942, Birçe Hasko ishte një nga figurat më të respektuara të skenës dhe ekranit shqiptar. Pas përfundimit të shkollës “Jani Minga” në Vlorë, ai punoi si mësues në Memaliaj, ku hodhi edhe hapat e parë në art përmes angazhimit me trupën e Estradës amatore të qytetit.

Në vitin 1965 nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve, ndërsa pas diplomimit mbeti pedagog pranë këtij institucioni, ku për shumë vite formoi breza të tërë artistësh duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në vitin 1995 ai mori titullin “Profesor”, duke u kthyer në një nga emrat më të vlerësuar të artit skenik shqiptar.

Kontributi i tij në teatër dhe kinematografi mbetet i jashtëzakonshëm. Në skenë interpretoi mbi 12 role, ndërsa një nga rolet më të spikatura ishte ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në ekranin e madh, Birçe Hasko skaliti me dhjetëra personazhe që mbetën gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.

Roli i tij i parë në kinematografi ishte ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë” në vitin 1971. Më pas do të interpretonte në një sërë filmash të njohur, mes tyre roli i Mete Aliut në “Radiostacioni”, Syrjait në “Skëterrë 43”, mësuesit në “Gurët e shtëpisë sime”, si dhe shumë personazhe të tjerë që e kthyen në një nga ikonat e kinemasë shqiptare. Roli i tij i fundit ishte në filmin “Kronikë provinciale”.

Për kontributin e tij të çmuar në artin shqiptar, ai u nderua me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1988, u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë, ndërsa mbante edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Bashkia e Orikumit e kishte shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi”.

Me ndarjen nga jeta të Birçe Haskosh, arti shqiptar ka humbur një prej figurave më të vyeram një aktor që me talentin, zërin dhe interpretimet e tij u bë pjesë e kujtimeve dhe jetës të shumë brezave.

Newsbomb. al i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të Birçe Haskos.

Po ndodh...

ide