Studimi zbulon: Vitamina D ndihmon në ruajtjen e rinisë qelizore

28 Maj 2025, 14:39 / JETË ALFA PRESS

Studimi zbulon: Vitamina D ndihmon në ruajtjen e rinisë qelizore

Marrja e përditshme e vitaminës D mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes biologjike, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore The American Journal of Clinical Nutrition.

Studimi, pjesë e projektit të madh kërkimor VITAL, zbuloi se suplementimi me vitaminë D3 (2,000 IU/ditë) ndihmon në ruajtjen e telomereve – pjesë mbrojtëse në skajet e kromozomeve, të cilat shkurtohen natyrshëm me kalimin e moshës dhe lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje të ndryshme kronike.

Në një ndjekje pesëvjeçare të mbi 1,000 pjesëmarrësve – gra mbi 55 vjeç dhe burra mbi 50 vjeç – u vu re se pjesëmarrësit që merrnin vitaminë D kishin një ritëm më të ngadaltë të shkurtimit të telomereve krahasuar me ata që merrnin placebo. Sipas studiuesve, kjo ndikon në ngadalësimin e plakjes biologjike me një diferencë ekuivalente prej gati tre vitesh.

Në të njëjtin studim u administrua edhe një dozë ditore e acideve yndyrore Omega 3, por ajo nuk pati ndikim të ndjeshëm në gjatësinë e telomereve.

Ky është një tjetër provë se vitamina D, përveç mbështetjes së sistemit imunitar dhe parandalimit të inflamacionit, mund të ketë një rol të rëndësishëm edhe në proceset e plakjes.