55 vjet nga themelimi i Universitetit të Prishtinës

15 Shkurt 2025, 13:13 / KOSOVA ALFA PRESS

55 vjet nga themelimi i Universitetit të Prishtinës

Sot mbushen 55 vjet nga themelimi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon.

UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.

U themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, ndërsa dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Këtë vit Universiteti i Prishtinës shënoi 55-vjetorin e themelimit me një varg aktivitetesh ditën e premte, më 14 shkurt. 

Mesazhi i kryeparlamentares shqiptare

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali kujtoi sot mbledhjen e Kuvendit themelues të Universitetit të Prishtinës, një ngjarje historike e arsimore, me rëndësi kombëtare për Kosovën, por edhe për kombin shqiptar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali kujtoi se “si sot, 55 vjet më parë, më 15 shkurt 1970, u mbajt mbledhja e Kuvendit themelues të Universitetit të Prishtinës”.

“Universiteti i Prishtinës, i cili mban emrin e nderuar “Hasan Prishtina”, me 14 fakultetet dhe 158 programet e tij, është ndër qendrat më të mëdha e më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore shqiptare”, vlerësoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se përgjatë më shumë se gjysmë shekulli, Universiteti i Prishtinës ka arsimuar, formuar, edukuar dhe inspiruar dhjetra breza studentësh, pedagogësh e intelektualësh, personalitete të shquara të dijes, të luftës për çlirim, pavarësi, shtetformim, demokraci, zhvillim e progres, dhe ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një vatër e madhe e shqiptarisë.

“Urime studentëve e profesorëve, ish-studentëve dhe ish-profesorëve si edhe gjithë popullit të Kosovës, në vitin e 55-të të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina””, uroi Spiropali.

 

Po ndodh...