Asosacioni/ Osmani pritet me protestë në Kuvend: T'i lihet SHBA-së, propozimi im u godit në mënyrën më të ulët

21 Nëntor 2024, 11:21 / KOSOVA ALFA PRESS

Asosacioni/ Osmani pritet me protestë në Kuvend: T'i lihet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka adresuar në Kuvend çështjen e dialogut me Serbinë dhe asociacionin. Në fjalën e saj Osmani solli në vëmendje deklaratën e saj kur propozoi që drafti i asociacionit të diskutohej me SHBA-në dhe të mos t’i lihej as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës.

“Kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jo njohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”.

Sipas saj ky propozim i saj u quajt tradhti kombëtare, dhe tregon dy pikat kyçe të këtij propozimi.

“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj- lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon “nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”. Kjo është gënjeshtër. Ajo çfarë kam thënë është që 1/ zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternative, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan, atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.

Në fund, Osmani është larguar pa i shtrënguar dorën kryeministrit Albin Kurti apo zëvendëskryeministres Donika Gërvalla. Dhe si zakonisht nuk pati aq buqeta me lule për të. Vetëm kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca i shtrëngoi dorën Osmanit. Ndërsa deputeti i pavarur Haki Abazi gjatë momentit të largimit të Osmanit ka bërtitur “hajna, hajna”.

ide