Krime në Gjakovë gjatë luftës, ngrihet aktakuzë kundër një personi

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.R., për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 7-10 maj të vitit 1999, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë, thuhet në njoftim.
Aty bëhet e ditur se ai ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë.
“Aktakuza e ngarkon të pandehurin me përgjegjësi për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht, si dhe për dëbimin e dhunshëm të civilëve nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronave në disa lagje të qytetit”, bëri të ditur prokuroria.
Provat kundër të pandehurit përfshijnë dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, identifikimin e tij përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.
I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria tha se ka kërkuar vazhdimin e kësaj mase, për shkak të rrezikut të arratisjes.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Dhjetë ditë më parë, një person u dënua me 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës./REL
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
Sekretari i Parë i PD
Të “rrëzosh” Edi Ramën duke gënjyer veten…
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128




