E pazakontë! Gjykata Speciale e Hagës i zhvesh kollaren me shqiponjën kuqezi Jakup Krasniqit

9 Korrik 2024, 11:14 / KOSOVA ALFA PRESS

E pazakontë! Gjykata Speciale e Hagës i zhvesh kollaren me

Një rast i paprecedent ka ndodhur në Dhomat e Specializuara të Hagës. Jakup Krasniqi është shfaqur në Dhomat e Specializuara të Hagës me një kravatë me shqiponjën kuqezi, mirëpo kjo nuk ka zgjatur për shumë kohë.

Në një vendim të paarsyetuar, Haga vendosi që të mos ia lejonte këtë kravatë, ndonëse nuk ishte hera e parë që e kishte veshur.

E gjitha ndikoi edhe në vijimësinë e seancës. Kjo pasi pas pauzës së drekës, seanca nuk vazhdoi siç ndodh rëndom.

“Ju njoftojmë se është shtyrë fillimi i seancës së pasdites së sotme në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Do t’ju informojmë për çdo përditësim sa më shpejt që të jetë e mundshme”, u tha në njoftim.

Seanca u bë e ditur se do të vazhdonte nga ora 16:30. Megjithatë, ishte krejtësisht e mbyllur, dhe zgjati shumë pak. Për këtë ka pasur edhe një reagim nga avokatja e Krasniqit.

“Dua një përgjigje sepse atë kollare Krasniqi e ka veshur edhe herave të tjera”, tha ajo.

Një reagim emocionues e ka bërë vajza e Krasniqit, Gresa.

"Mic Sokoli me gjoksin e tij kishte pritur gjylen e topit sepse dëshira per çlirim dhe liri ishte më e madhe se jeta prej zvarraniku. Mic Sokolët sot, me gjoksin e tyre presin padrejtësitë e këtij shekulli ndonese mbi supet e tyre rëndojnë plagët e pa sheruara të një populli të shtypur e te vuajtur! Mic Sokoleve sot, nga gjoksi mund t’ia zhveshni shqiponjën, por kurrë nga zemra!".

Tash, bacit Jakup, garant ia kanë sekuestruar edhe kravatën. Për këtë veprim, mund të ndërmarrin edhe masa disiplinore ndaj tij. Por, ironike është që atyre që ia hoqën kravatën sot, iu kanë dashur gati katër vjet ta dallojnë simbolin kombëtar, përkundër që është raportuar edhe në media për “kravatën kuqezi”. Të njëjtit, të cilët nuk e dallojnë dot as simbolin tonë kombëtar, po na gjykojnë në emër të popullit”, ka shkruar ajo.

Nga ana tjetër, akuza ka pasur edhe nga opozita në Kosovë që thonë se heshtja e institucioneve është e patolerueshme.