Gjyqi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, deri në fund të dhjetorit pritet përfundimi i gjykimit në Hagë

2 Shtator 2025, 17:33 / KOSOVA ALFA PRESS

Gjyqi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, deri në fund

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, i nisur në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë më së largu më 22 dhjetor 2025.

Kjo është data që Trupi Gjykues ka dhënë si afat për palët, për dorëzimin e shkresave përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas një parashtrese, mesi i nëntorit është caktuar si afat për avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit për mbylljen e rasteve të tyre.

“Pasi ka shqyrtuar parashtrimet e Palëve dhe pjesëmarrësve, listat e dëshmitarëve të Mbrojtjes Thaҫi dhe Mbrojtjes Krasniqi dhe vlerësimet e pyetjeve të kryqëzuara të Palëve dhe pjesëmarrësve të mbetur, Paneli përcakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes si për Mbrojtjen Thaҫi ashtu edhe për Mbrojtjen Krasniqi si të premten, 14 nëntor 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme.

Paneli thekson se kjo datë është thjesht një tregues i vlerësimit të Panelit për kohëzgjatjen e çështjes së Mbrojtjes dhe mund të përshpejtohet ose zgjatet sipas nevojës”, thuhet në vendim.

“CAKTON datën e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes për të dyja palët, Mbrojtjen e Thaçit dhe Mbrojtjen e Krasniqit, të premten, 14 nëntor 2025, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme”, thuhet në vendim.

Shqyrtimi pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa vendimi i trupit gjykues pritet të jepet në fillim të vitit 2026.

“Paneli vëren se ZPS-ja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërshtim, dhe Mbrojtja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërpërgjigje, në përputhje me Rregullën 127(2).

Pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla dhe vendimin e Panelit në lidhje me to, Paneli informon Palët dhe pjesëmarrësit se ata duhet të jenë të përgatitur të paraqesin shkresat përfundimtare të gjyqit dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të supozuara mbi viktimat që marrin pjesë në procedura, para fillimit të pushimit gjyqësor të hënën, më 22 dhjetor 2025. P

aneli do të caktojë një datë të saktë në lidhje me këtë çështje pasi çështja e Mbrojtjes të jetë më e avancuar dhe pasi Paneli të ketë dëgjuar Palët dhe pjesëmarrësit në lidhje me këtë dhe çdo kërkesë në përputhje me Rregullën 127(2)”, thuhet më tutje.

 

Po ndodh...