Hakmarrje për 28 nëntorin? Komuna e Zveçanit sulmohet me granatë dore

29 Nëntor 2024, 18:29 / KOSOVA ALFA PRESS

Hakmarrje për 28 nëntorin? Komuna e Zveçanit sulmohet me
Një granatë dore është hedhur pak para mesnatës në parkingun e Komunës së Zveçanit, disa orë pasi aty ishte mbajtur seanca e Asamblesë komunale në shënim të 28 Nëntorit dhe dy ditë pasi ishte sulmuar në të njëjtën mënyrë stacioni policor në të njëjtën komunë.

Pikërisht në parkingun e Komunës ka shpërthyer granata e dorës me të cilën është sulmuar Komuna e Zveçanit dhe për pasojë hyrja e Komunës është dëmtuar së bashku edhe me xhamat e përparmë. Po ashtu, dëmtime kanë pësuar edhe 4 automjete të cilat kanë qenë të parkuara përballë, një prej tyre edhe ky mjeti tip Audi. 

Kryetari i Komunës, Ilir Peci, thotë se Zveçani ka qenë zemra e strukturave kriminale serbe dhe në komunë janë mbajtur shënimet për të gjitha komunat e tjera të veriut, prandaj ka edhe më shumë sulme: “Arsyeja e vetme është se këtu në komunën e Zveçanit vazhdimisht ka pasur tensione më të mëdha se tri komunat e tjera të veriut, për arsye se në komunën e Zveçanit i kemi gjetur edhe vulat e tri komunave të tjera, gjithsej të katër komunave të veriut janë gjetur në këtë komunë”.

Për policinë, shënimi i 28 Nëntorit nga Komuna e Zveçanit mund të jetë një arsye për sulmin, por thonë se nuk mund të përjashtohen edhe arsye të tjera.

Veton Elshani, zv/drejtor i Policisë në veri, u shpreh për A2 CNN: “Gjithmonë ka indikatorë, nuk mund të përjashtohet as ajo, por kjo është pjesë e hetimeve dhe vazhdojmë më tutje. Mbrëmë ka qenë 28 Nëntori, parmbrëmë nuk ka qenë 28 nëntori [sulmi ndaj policisë], nesër nuk është 28 nëntori, ne jemi ballafaquar me situata të tilla dhe nuk është diçka e jashtëzakonshme”.

Policia thotë se rasti po trajtohet me prioritet pasi është sulmi i dytë më granatë brenda javës, ndërsa nuk thonë nëse ka ndonjë të dyshuar.

“Janë veprime policore, hetimore që zhvillohen me këtë rast, sikurse me çdo rast tjetër, sidoqoftë është duke u marrë seriozisht sepse në fakt është rasti i dytë që ndodhi në Zveçan tek stacioni policor dhe tash tek komuna. Të gjitha veprimet hetimore policore janë duke u ndërmarr dhe atje ku na dërgojnë hetimet atje do të shkojmë edhe ne”, deklaroi Elshani.

Automjetet e dëmtuara nga sulmi i përkasin qytetarëve serbë, por vetë kryetari Peci kërkon nga qytetarët që të bashkëpunojnë me Komunën për kërkesat e tyre të mundshme: “Unë jam i gatshëm sikur deri më dje, prapë të vazhdoj me kërkesat e tyre, dhe kështu nuk kanë nevojë asnjë moment të ndihen keq për shkak se jam kryetar i komunës për të gjithë qytetarët dhe do të vazhdoj deri në ditën e fundit të mandatit si kryetar komune në shërbim të të gjithë qytetarëve”.

Pavarësisht sulmeve me granata, situata në veri konsiderohet e qetë, por delikate. 

Po ndodh...

ide