I dërguari i posaçëm kinez diskuton me diplomatin gjerman për Ukrainën

25 Maj 2023, 17:54 / KOSOVA & BOTA ALFA PRESS

I dërguari i posaçëm kinez diskuton me diplomatin gjerman

Përfaqësuesi i posaçëm kinez për Çështjet Euraziatike Li Hui zhvilloi të mërkurën bisedime me sekretarin e shtetit të Zyrës së Jashtme Federale Gjermane Andreas Michaelis në Berlin. Të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës dhe marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Gjermanisë.

Sipas një njoftimi për shtypin të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze të enjten, Li tha gjatë bisedimeve se qëndrimi i Kinës mbi çështjen e Ukrainës ka qenë i qëndrueshëm e i qartë, dhe thelbi i saj është nxitja e bisedimeve të paqes dhe zgjidhja politike.

Ai përsëriti se nuk ka një “shkop magjik” për zgjidhjen e krizës dhe se të gjitha palët duhet të bëjnë atë që u takon për të krijuar kushte të favorshme për rinisjen e bisedimeve të paqes nëpërmjet krijimit të besimit të ndërsjellë.

Kina mbështet përpjekjet e vendeve evropiane për të trajtuar shkaqet e krizës dhe për të gjetur një zgjidhje si për simptomat, ashtu edhe për shkaqet, për të garantuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme të kontinentit evropian, tha Li.

Nga ana e tij, Michaelis theksoi se pala gjermane i vlerëson lart përpjekjet pozitive të Kinës për të shpërshkallëzuar krizën e Ukrainës.

Është shumë “e dobishme dhe e nevojshme” që Gjermania dhe Kina të forcojnë dialogun mbi një varg problemesh madhore ndërkombëtare e rajonale, duke përfshirë krizën e Ukrainës, tha ai.

I dërguari i posaçëm kinez ndodhet në një turne evropian për të angazhuar palët të gjejnë një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit ai ka qenë në Ukrainë, Poloni dhe Francë, ndërsa pritet të shkojë edhe në Moskë e Bruksel.

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128