Komuna e Prishtinës largon ekspozitën për masakrat në Kosovë, kërkohet llogaridhënie për pasaktësitë

28 Mars 2026, 15:02 / KOSOVA ALFA PRESS

Komuna e Prishtinës largon ekspozitën për masakrat në

Komuna e Prishtinës i ka larguar nga sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës disa tabela me përmbajtje që është thënë se kanë pasur pasaktësi lidhur me masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 1998 -’99. Ekspozita është organizuar nga organizatat joqeveritare, INTEGRA dhe ADOMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës dhe e ka pezulluar lejen për prezantimin e saj në mbrëmjen e 27 marsit. “Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, ka shkruar Rama në Facebook. Kuvendi i Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por e respekton të drejtën autoriale dhe krijuese pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. “Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”, është thënë në reagimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se do t’i adresojë tek organizatorët shqetësimet e ngritura.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti e ka dënuar përmbajtjen e ekspozitës, si dhe ka bërë brë thirrje për verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.

“Në të njëjtën kohë, ftoj institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje. E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet”, ka thënë Hoti përmes një postimi në Facebook. Shkëlzen Gashi ka thënë në emër të organizatave ADOMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999… Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona”, është thënë në postimin e Gashit në Facebook.

Vetë ai ka thënë se përveç mospërputhjeve për Dubravë, njëjtë ka ndodhur edhe me të dhënat për masakrat në Reçak, Kotlinë, Kaçanik, Mejë, e të tjera. “Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur”, ka shkruar mes tjerash Gashi.

Lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë, i ka lënë rreth 13.000 njerëz të vrarë, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur. Zyrtarë të Kosovës kanë deklaruar në të kaluarën se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës shkon në 22 miliardë euro. Kriminologia Furtuna Sheremeti i pati thënë Radios Evropa e Lirë më parë se, për të pasur një pasqyrë të qartë të së kaluarës, fillimisht duhet të adresohen të gjitha krimet që kanë ndodhur, e pastaj të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara.

“Mosdokumentimi i krimeve, e aq më pak i dëmeve, ka ndikim të madh, për shkak se na ka vendosur në rrezik të humbasim kujtimet primare të luftës. Përtej kësaj, ka shumë viktima të luftës që kanë vdekur pa iu adresuar dëmi i shkaktuar e pa iu njohur asnjëherë nevojat e tyre”, ka thënë Sheremeti, studimet e së cilës janë fokusuar në vlerësimin e dëmeve të luftës. Krahas nismave tjera paraprake, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi edhe Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000, deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendëse./REL

Po ndodh...

ide