Kosova kthen "ushtaraken" dhe "zborin", nxënësit me armë në dorë
Në shtator të këtij viti, që përkon me nisjen e vitit të ri shkollor, nxënësit e klasave të 11-ta në Kosovë kanë mundësi të zgjedhin për të ndjekur lëndën “Edukimi për siguri”. Kjo është një iniciativë e Ministrisë së Mbrojtjes që është mbështetur nga Ministria e Arsimit.
Përmes kësaj lënde, shteti synon që nxënësit përveç njohurive të reja në fushën e sigurisë, të zotërojnë njohuri dhe shkathtësi, të cilat do t’i përdorin në jetën e tyre të përditshme si dhe në ndihmë dhe mbështetje të strukturave shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë në raste emergjente dhe krizash.
Nga Ministria e Mbrojtjes thanë për A2 CNN se programi për këtë lëndë ndihmon në formimin individual psikik e fizik të nxënësit nëpërmjet njohjes së sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë, kryesisht të sistemit të Republikës së Kosovës dhe me gjerë, duke filluar nga konteksti historik, gjeografik, ushtarak dhe ai i mbrojtjes civile.
“Përmes këtyre njohurive, duke u njohur dhe aftësuar me shkathtësitë bazike të mbrojtjes dhe sigurisë, nxënësit do të arrijnë të fitojnë jo vetëm njohuritë bazike por edhe shkathtësitë e nevojshme sa i përket mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes në raste krizash, fatkeqësish apo luftërash”, tha Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.
Silabusi përbën 66 orë, një orë mësimore në javë, ndarë në pjesë teorike dhe praktike, ku do të trajtohet një gamë e gjerë temash si historiku i institucioneve të sigurisë së Kosovës, gjeografia ushtarake dhe llojet e luftërave.
Zbatimi i kurrikulës do të realizohet nga ligjërues dhe trajner të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pjesa teorike do të mbahet në shkolla, ndërsa ajo praktike në kazermat e FSK-së.
“Në lëndë do të trajtohen në aspekt teorik e praktik menaxhimi i krizave, shkathtësitë dhe detyrat themelore ushtarake, ku nxënësit do të fitojnë njohuri rreth orientimit në natyrë, ndërtimit të kampit, kërkim-shpëtimit, ofrimit të ndihmës së parë, mbrojtjes civile, përdorimit të armëve, rreziqeve nga inteligjenca artificiale, armët për shkatërrim në masë etj”, shtoi Gashi.
Për njohësit e arsimit në Prishtinë e rëndësishme është që para fillimit të zbatimit të kësaj lënde, të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura dhe lënda të jetë atraktive për nxënësit.
“Ka shumë rëndësi që nxënësit të ekspozohen në institucione të ndryshme të sigurisë, situatave të ndryshme, në mënyrë që ata ta kuptojnë se kush është konteksti, kush është reagimi, kush është përgjegjësia dhe kjo të na kthehet në përfitim për këta të rinj por edhe për përfitim shoqëror”, u shpreh Rinor Qehaja.
Paraprakisht, lënda “Edukim për siguri” gjatë vitit të kaluar është trajtuar si pilot-projekt në shtatë rajone të ndryshme të Kosovës me një numër të kufizuar nxënësish.
ide
Pensionistët, ‘Profesori i Ekonomisë’ dhe 3 këshilla për këtë të fundit!
Edi Rama krekoset si kaposhi në majë të plehut!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128