Nis fushata në Kosovë/ Kurti, Hamza e Abdixhiku startojnë garën për zgjedhjet e 7 qershorit

Partitë politike në Kosovë nisën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të shtatë qershorit.
Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubimin hapës në Ferizaj, e nga aty, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, që synon edhe një mandat tjetër dha premtimet e tij për qytetarët e nuk la pa përmendur opozitën e deritanishme që tha se po e sulmojnë.
“Krejt çfarë bëjmë ne është përmbushje e zotimeve tona. Pra, të gjitha britmat e piskamat që i dëgjoni nga akuzat e sulmet kundër neve, janë veçse realizim i zotimeve tona“, tha Albin Kurti-kandidat për kryeministër të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës e nisi fushatën në Ferizaj, nga ku kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza tha se vendi është lodhur nga krizat shkaktari i të cilave është Albin Kurti.
“Derisa ai lufton me të gjithë, Kosova stagnon. Miqtë e mi, Kosova nuk ka më kohë për drama politike. Kosova ka nevojë për punë, Kosova ka nevojë për stabilitet“, tha Bedri Hamza-kandidat për kryeministër të Kosovës.
Në kryeqytet, Lidhja Demokratike e Kosovës hapi fushatën e saj, si e vetmja parti me kandidat për president dhe për kryeministër. Vjosa Osmani, para simpatizantëve të LDK-së u shpreh se ka ardhur koha “të dilet nga politika e lodhjes kolektive”, ndërkohë që Lumir Abdixhiku shpalosi ofertën për elektoratin.
“Ka liderë që jetojnë nga kriza, sepse pa krizë e humbin rëndësinë dhe ka liderë të cilët e bëjnë të kundërtën, e ndërtojnë besimin në shtet“, tha Vjosa Osmani-kandidate për presidente.
“E vërteta që na dhemb është se Kosova e sotme është vend i kontrasteve të mëdha. Një republikë e bekuar me njerëz të jashtëzakonshëm, por e lodhur nga politike e vogël e një mendjeje të vogël që dëshiron të kapë çdo gjë në këtë vend”, u shpreh Lumir Abdixhiku-kandidat për kryeministër.
Aleanca këto zgjedhje garon me Ardian Gjinin si kandidat për kryeministër, për të cilin kryetari i deritanishëm i partisë, Ramush Haradinaj tha se është personi i duhur. Gjini para mbështetësve të partisë së tij, pati kritika për partinë që ka qeverisur deri tani.
“Nuk dinë se çka dojnë me bo, se nuk janë tu dashtë me i fitu zgjedhjet për me bo diçka, por veç me i fitu zgjedhjet”, tha Ardian Gjini-kandidat për kryeministër.
Kosova mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor, pasi Kuvendi dështoi të zgjedh presidentin e ri të vendit.
-
IKMT shemb objekte pa leje në Qeparo, Llogara dhe Himarë
29 Maj, 12:30
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
