Washington Post: Ushtria ukrainase qëndron pas shpërthimeve në bazën ruse në Krime

10 Gusht 2022, 15:45 / KOSOVA & BOTA ALFA PRESS

Washington Post: Ushtria ukrainase qëndron pas shpërthimeve në
Ushtria ukrainase është përgjegjëse për shpërthimet masive në bazën ajrore ruse në Krime , të cilat ndodhën të martën dhe tronditën rajonin, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.

 Kështu tha sot një zyrtar i qeverisë ukrainase, duke folur në kushte anonimiteti për gazetën “ Washington Post ” , pa dhënë megjithatë më shumë detaje se si u krye sulmi nga forcat speciale ukrainase.

Megjithatë, duket e sigurt se ky zhvillim mund të sinjalizojë një përshkallëzim dramatik në luftën gati gjashtëmujore në territorin e Ukrainës, luftë e cila ka demonstruar aftësinë e forcave ukrainase për të goditur linjat ushtarake ruse.

Të paktën tre shpërthime tronditën bazën ajrore Safy, në një zonë bregdetare të konsideruar nga rusët si aq të sigurt dhe të paarritshme, saqë videot e publikuara treguan banues të befasuar në një vendpushim aty pranë që vraponin për t'u strehuar. 

Gadishulli i Krimesë u aneksua nga Moska në vitin 2014 dhe është një destinacion popullor pushimesh për rusët.

Forca ajrore ukrainase tha në një deklaratë se nëntë avionë ushtarakë rusë u shkatërruan në bazë, e cila sipas autoriteteve përdoren nga Rusia për të nisur sulmet me raketa kundër territorit ukrainas.

Zyrtarisht, Kievi refuzoi të konfirmojë ose të mohojë se ukrainasit ishin të përfshirë në sulm, por të martën, Volodymyr Zelensky e fokusoi fjalimin e tij të mbrëmjes në Krime, duke premtuar se do të rimarrë territorin e saj.

“Krimeja është ukrainase dhe ne nuk do ta lëmë kurrë atë” , tha ai, pa iu referuar bazës ajrore apo sulmit.


 

Po ndodh...