A ka lidhje GJEOMETRIA me FIZIKËN?

6 Gusht 2022, 12:52 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

A ka lidhje GJEOMETRIA me FIZIKËN?

Për mëse 2000 vjet, që nga koha e Euklidit dhe Aristotelit, Gjeometria dhe Fizika ecën paralel njëra-tjetrës por të pavarura nga njëra-tjetra dhe askush nuk mendonte se e ardhmja do të gjente ndonjë pikë takimi mes tyre. E para përdorte pikat, vijat e drejta dhe sipërfaqet e sheshta, e dyta forcat, shpejtësitë dhe nxitimet që shkaktoheshin prej tyre.

Gjeometria euklidiane, e ndërtuar mbi një numur shumë të vogël postulatesh e përkufizimesh evidente, u ndërtua si një godinë koherente dhe artistike, që kënaqi mendimin e “shëndoshë” të dhjetëra brezash matematicienësh që erdhën pas. Vetëm aty nga gjysma e dytë e shek.19-të matematicienë të tillë si Gaussi, Boljai, Llobaçevski, Rihmani e Minkovski konstatuan se mund të ndërtohej një gjeometri e re, po aq koherente dhe logjike sa gjeometria euklidiane, por asnjëri prej tyre nuk parashikoi se kjo gjeometri do të kishte edhe lidhjen më të vogël me Fiziken dhe realitetin fizik. Ajo shihej më shumë si një “godinë” mbreslënëse e imagjinatës shkencore dhe asgjë më tepër.

Të njëjtën trajektore përshkoi edhe Fizika klasike nga Aristoteli tek Galilei e Njutoni. Kudo mendimi i “shëndoshë” përputhej me vrojtimet që na jepnin shqisat. Hapësira njutoniane ishte një “arkë” bosh, ku gjendeshin trupat (planetet) dhe koha në të rridhte e pandikuar prej tyre.

Por ia që fillim shekulli i ri zbuloi një realitet të ri - Fushën elektromagnetike, me shpejtësinë e saj të përhapjes prej 300.000 km/s, një shpejtësi e pa hasur më parë tek asnjë trup tjetër tokësor, por më e çuditshmja të pavarur nga lëvizja e burimit të saj. Kjo ishte një përmbysje në themel e koncepteve tona klasike të rrënjosura thellë mbi hapësirën, kohën, masën dhe energjinë.

Kapërximi i saj i dedikohet një njeriu të vetëm - Albert Ajnshtajnit, një djaloshi 25 vjeçar, i panjohur më parë në rrethet shkencore të kohës. Lindi kështu Teoria e Relativitetit. Në fazën e parë (1905) ajo çfronësoi nga fizika fantazmat e Hapësirës dhe Kohës absolute, aq të rrënjosura thellë në përfytyrimet e bashkëkohësve, ndërsa, 10 vite më vonë, në fazën e dytë (1915) iu dha një shpjegim krejt i ri dhe origjinal “Gravitetit”, të përpunuar 300 vite më parë nga Njutoni.

Teoria e re e Relativitetit të Përgjithshëm tregoi se Gjeometria nuk është gjë tjetër veç cilësi e Hapësirës dhe struktura e saj diktohet nga ‘masa gravitacionale’ që gjendet në të. Sa më e madhe kjo masë aq më e “deformuar” hapësira, d.m.th aq më e ndryshme nga ajo euklidiane. Në teorinë e re rrezja e dritës, që për Fizikën klasike përhapej në vijë të drejtë, në fizikën e re relativiste përkulet, bile kur graviteti është i madh ajo nuk mund të dalë prej tij - këto ishin ‘vrimat e zeza’ që teoria i parashikoj dhe vrojtimet e mëvonshme astronomike i konstatuan realisht.

Lindi kështu një Kozmologji e re, që parashikonte dukuri të reja dhe që kërkonte një Gjeometri të re. Në vartësi të masës gravitacionale dhe shpërndarjes të saj, gjeometria e Hapësirës mund të jetë sferike, hiperbolike apo parabolike, shumë e ndryshme nga ajo euklidiane.

Më thuaj si është shpërndarë masa në Hapësirë (fizika) dhe do të të them se cila do të jetë struktura (gjeometria) e saj - kjo ishte motoja e mendimit të ri, që Stephen Hawking e çoi më tej në dhjetvjeçarët që erdhën pas.

Përgatiti: Klodi Stralla

Po ndodh...