Anastas Janullator - në 30 vjetorin e fronëzimit si Kryepeshkop i KOSH-it

2 Gusht 2022, 19:21 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

Anastas Janullator - në 30 vjetorin e fronëzimit si Kryepeshkop i

Këtë 2 gusht 2022 mbushen plot 30 vjet nga dita e fronëzimit eI Anastas Janullatos si Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH-it).

Për 3 dekada në krye të Kishës, ai është një ndër figurat më kontraverse të tranzicionit, për të cilin ka pasur vlerësime, nga ajo e misionarit, që ngriti nga hiçi Kishën Ortodokse të Shqipërisë, deri tek epitetet, si agjent grek që synon helenizimin e Kishës dhe ortodoksëve shqiptare.

Ndonse ai i përket një komuniteti të caktuar fetar-ortodoksëve shqiptarë, fakti që Kisha vepron në kuadrin e shtetit, respekton ligjet e tij dhe është pasuri kombëtare e shqiptarëve, me jep të drejtën të shpreh edhe unë opinionet e mija në lidhje me figurën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti të spikatur.

I.- Në se do t’i referohemi formimit të tij, si klerik dhe intelektual, pa hezitim, edhe për shumë vite të tjera, Kishës ortodokse shqiptare nuk do t’i vijë një figurë e përmasave të tilla. Mund të hapësh faqen e tij në internet për të konstatuar se çfarë studimesh të thelluara ka kryer, çfarë veprash ka botuar, çfarë vlerësimesh të larta ka marrë nga bota kishtare dhe ajo akademike e universitare.

- Prof. i Greqishtes së re dhe Filologjisë ne Universitetin e Marburgut, Gjermani (1966-69), Prof. i Historisë së Feve në Universitetin e Athinës (1976-96). Në të njëjtin Universitet: Drejtor i Departamentit të Shkencës së Feve dhe Sociologjisë (1983-86) dhe Dekan i Fakultetit Teologjik dhe anëtar i Senatit (1983-86).

- Drejtues i “Qendrës te Studimeve Misionare” në Universitetin e Athinës (1971-76), anëtar i Këshillit të Qendrës së Studimeve Mesdhetare dhe Arabe (1978-82).

- Doktor Nderi në Teologji: i Fakultetit Teologjik “Kryqi i Nderuar”, Bruklin Ma. USA (1989); i Fakultetit Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut (1995); i Fakultetit Orthodhoks të Shën Vladimirit, New York (2003); i Fakultetit Teologjik të Universitetit të Krajovës (2006); i Fakultetit Teologjik të Universitetit Pontifikal të Italisë së Jugut (2009), i Universitetit të Janinës (1996); i Universitetit Agrokultural të Athinës (1996), i Departamentit të Studimeve Ndërkombëtare dhe Evropiane të Universitetit të Pireut (2001); i Departamentit të Filologjisë të Universitetit të Kretës (2002); i Departamentit të Fizikës, Mjekësisë, Edukimit primar dhe Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Patras (2002);

- Doktor i Letrave Humane i Universitetit të Bostonit (2004); i Departamentit të Mjekësisë dhe Agrikulturës të Universitetit të Thesalisë, i Departamentit të Historisë të Universitetit Jonian, Korfuz(2007); i Universitetit të Korçës (2008); i Depart. të Historisë dhe të Etnologjisë, si edhe të Gjuhëve dhe Kulturës të Universitetit “Demokriti” të Universitetit të Thrakës (2009); i Universitetit të Qipros (2010). etj,etj.

- Autor i dhjetra librave shkencore, studimeve e artikujve me permbajtje teologjike, te botuara ne disa gjuhe. Vepra “Qytetërimi dhe ortodoksia” është njëri prej tyre.

Nuk besoj se ka një personalitet të tillë në Shqipëri me një CV kaq të pasur e merituar në fushën përkatëse.

II.- Në se do t’i referohemi gjendjes të Kishës, në godina dhe personel, të fillim viteve ’90, pa mëdyshje duhet pranuar se Ai e ngriti Kishën nga hiçi në nivelin që është sot, me godina të reja apo të rikonstruktuara, me personel kishtar të kompletuar, me Akademi, që siguron vijushmërinë për të ardhmen.

- riorganizoi më tepër se 400 famulli (enori); themeloi Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës (1992), dy Lice kishtarë (Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit), Shkollën e Muzikës Bizantine në Tiranë, të gjitha këto në godina me kushte bashkëkohore dhe me konvikte;

- shkolloi dhe dorëzoi 168 klerikë, të gjithë nënshtetas shqiptarë, të të gjithë gradave klerikale (mes tyre edhe 4 peshkopë) duke u dhënë të gjithëve përgjegjësi drejtuese në vend; themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme; u kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë.

- U kujdes për ndërtimin e 150 kishave të reja, për restaurimin e 70 kisha-manastire monumente kulture, për rikonstruksionin e më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe për 70 godina për qendra kishtare si: selia e Kryepiskopatës dhe e mitropolive, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritjeje, mensa për të varfërit, kampe rinore etj. me një vlerë monetare disa million euro, që mundi t’i sigurojë jashtë vendit, në sajë të influencës të tij.

III.- Në se do t’i referohemi dinjitetit të Kishës në raport me Shtetin, une jam i bindur se pa figurën e tij Kisha do të bëhej një instrument i propagandës të politikës partiake. I matur, i kulturuar, i zgjuar, ai ka ditur ta mbajë larg Kishën nga komprometimi politik, duke i dhënë asaj një orientim kulturor, bemirës dhe pragmatik.

- Themeloi një gazetë të përmuajshme dhe tri revista, si edhe një stacion radiofonik. U përkujdes për ndërtimin e atelieve të Kishës (shtypshkronjës, fabrikës së qirinjve, zdrukthëtarisë, atelieve të ikonave dhe të restaurimit të tyre). Në të njëjtën kohë, zhvilloi programe pionier në fushat e edukimit, shëndetësisë, kujdesit social, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë.

- Themeloi Qendrën Mjekësore Diagnostike me 24 specialitete në Tiranë dhe 3 qendra mjekësore në qytete të tjera; Universitetin“Logos” në Tiranë,2 Institute të Formimit Profesional, 1 lice profesional, 3 shkolla fillore,1 gjimnaz,1 konvikt shkolle për vajza dhe 17 kopshte fëmijësh në qytete të ndryshme.Të gjitha këto arritje i mbeten Shqipërisë dhe shqiptarëve.

IV.- Në se do t’i referohemi kombësisë, Kryepeshkopi është me kombësi greke dhe kjo i konsiderohet si “sakrilegj” i tij. Për historikun e Kishës ortodokse shqiptare, që ju deshën vite dhe përpjekje të formonte profilin e vet kombëtar dhe të shkëputej nga influenca e Kishës greke, mirë do të ish që Kryepeshkopi të qe një shqiptar. Por, veçanërisht për klerikët, misioni i të cilëve është i shkëputur nga punët e shtetit, përkatësia etnike kursesi nuk mund të erësojë, në mënyrë paragjykuse, punën e tij konkrete në dobi të rimëkëmbjes fetare të një komuniteti, që historikisht ka qënë pjesë vitale e përpjekjeve shtetformuse të shqiparëve. Ai erdhi në Shqipëri me kerkesën e një grupi intelektualesh ortodoksë shqiptarë në vitin 1991, i përzgjedhur nga Patriarkana e Stambollit, në cilësinë e Eksarkut (i përkohëshëm), sepse nuk kishim asnjë peshkop të mbijetuar nga persekutimi ateist komunist. Ky mund të ishte edhe i një kombësie tjetër, por u pranua nga komuniteti i ortodokseve shqiptare, me lejën e qeverisë shqiptare të kohës, sepse ishte një figurë e mirënjohur e ortodoksisë botërore. Krijimi i Sinodit, rishikimi i Statutit ekzistues, ngritja e strukturave (dioqezave), i dhane legjitimitet Kishës në raport me Shtetin.

Të mos harojmë se, në misionin e vet baritor, kleriku ka si instrument vetëm fjalën. Por Kryepeshkopi Anastas, u gjend në rrethana të tilla historike, kur i duhej, jo vetëm të predikonte, por të ringrinte nga hiçi, godina kishtare, të dorëzonte klerike dhe të mbillte frymën fetare të topitur nga shumë vite ateizëm shtetëror. Dhe si për gjithë figurat historike, vepra e tij në dobi të ortodoksëve shqiptarë do të vlerësohet më mirë në vitet që do të vijnë, atëhere kur ai nuk do të jetë më midis nesh fizikisht.

Në këtë 30 vjetor ne krye te KOSH-it, i urojme shëndet dhe vitalitet në vazhdimin e misionit të tij baritor!  (Pergatiti Klodi Stralla)

 

Po ndodh...