E Vërteta njihet vetëm përmes krahasimeve!

20 Gusht 2022, 15:02 / MADE IN ALFA NGA KLODI STRALLA

E Vërteta njihet vetëm përmes krahasimeve!

Ndërtimi i Atomit” - sipas Modelit planetar të Rutherford-it dhe Bor-it, një temë vërtet e bukur, me interes, që, edhe në vitet kur u shtjellua (1911-1913), habiti botën mbarë për ngjashmërinë e habitshme midis ndërtimit të Atomit, një grimcë e Mikrokozmosit me Sistemin tonë diellor, një strukture gjigande e Makrobotës.

Mësuesi e parashtroi teorinë me shumë korektesë, bile, iu paraqiti nxënësve edhe një tabelë, si kjo qe shihni në foto, ku paraqiten  Atomi dhe grimcat përbërëse të tij, shoqëruar edhe me përmasat e tyre përkatëse. Pas saj, me humor, u drejtua nga unë dhe më pyeti:

- Mos lashë diçka pa thënë, profesor?

-  Jo! – ju përgjegja unë – i the të gjitha me shumë korektësi, por, në se më lejon vetëm 5 minuta, a mund t’ua them edhe unë këto, por në një mënyrë tjetër?

- Sigurisht – më tha – je i mirëpritur!

Unë e fillova shpiegimin, pak a shumë, si më poshtë:

-Le t’i lexojmë shifrat e tabelës në një mënyrë tjetër: Përfytyroheni “Elektronin” sikur të keni përpara një kokër arre. Atëherë, sipas dimensioneve që shihni në tabelë, “Bërthama” do të jetë sa një sferë me rreze 100m, pra 100 herë më e madhe se Elektroni (si volum). Sa larg prej bërthamës gjendet elektroni që rrotullohet rreth saj? Mos u çuditni: ai ndodhet 1000 km larg!

Një nxënës, që po e ndiqte me kureshtje krahasimin, më thotë: - Atomi qënka diçka krejt bosh!

Le të vazhdojmë – i thashë: - Ndërsa në bërthamën me rreze 100 m, “Protonet” dhe “Neutronet” që e përbëjnë atë, afërsisht u përngjajnë sferave me rreze 10 m, ndërkohë që përbërsit e protoneve dhe neutroneve – “Kuarket” – janë sfera me rreze diku rreth 1 cm, pra sa nje kokër arre! Elektronet dhe kuarket qenkan të së njëjtës përmase!

Nuk kam mbaruar, të dashur nxënës, le të shkojmë pak në Makrobotë, në Sistemin tonë diellor. Përfytyroni tani dhe bëni krahasimin midis Diellit (bërthama) dhe Tokës tonë (elektronit), ku rrezja e saj është afërsisht 6700 km ndërsa distanca Tokë-Diellë 150 milion km, pra, poqese Tokën e mendojmë si sferë me rreze 1 cm (sa një kokërr arre), atëherë Dielli ynë është 2 km larg saj! Pra edhe Sistemi ynë diellor na qenka krejt bosh! Sa shumë përngjajnë! Të jetë rastësi? – më pyeti përsëri po ai nxënës. - Nuk e di!- ju përgjegja.

Nxënësit mbeten të kënaqur por edhe të habitur nga kjo formë “të shpjeguari” që bazohet në “Metodën e krahasimit” dhe që të lejon që, Mikro dhe Makrobotën, ta risjellim në përmasat e Botës tonë, asaj që perceptojmë me shqisat tona, pra ta bëjmë të “dukshme” edhe për ata që nuk e  kanë aq të zhvilluar shkallën e abstragimit dhe përfytyrimit.

E Vërteta njihet vetë përmes krahasimeve! 

 

Po ndodh...