Evdhoksi Germenji - Pëkujtesë për një grua korçare të traditës

16 Qershor 2022, 10:45 / AKTUALITET ALFA PRESS

Evdhoksi Germenji - Pëkujtesë për një grua korçare

Nëse është e vërtetë ajo thënia se - pas një burri të suksesshëm fshihet gjithmonë një grua e mençur - kjo vlen para së gjithash për Evdhoksinë, bashkëshorten e patriotit të njohur korçar - Themistokli Germenji.

Kohët e fundit është gjetur një letër lamtumire që Themistokliu i dërgonte gruas të vet, disa ditë para se gjykata ushtarake frënge e Selanikut ta dënonte me vdekje dhe ta ekzekutonte.

"E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor i shpifjeve. Me qenë se unë nuk kthenem në Korçë dhe më s'jam për shtëpi, tinë ke të drejtë të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lerë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efcen u puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, nëqoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.

Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës!

Shoqi yt Themistokli Gërmenji, Selanik  9.11.1917"

Evdhoksia gjatë jetës të vet mbi 50 vjeçare pa Themistoklinë, mbajti gjallë e çoi më tej kujtimin dhe amanetin e tij, për t'i shërbyer me devocion atdheut e qytetit të Korçës, ndonse "shkeli" rekomandimin që pas vdekjes të tij të martohej e të krijonte familje. Ajo mbeti e ve gjithë jetën dhe fëmijë të saj u bënë dhjetra vajza të reja korçare, që punuan pranë saj, në vijim të përmbushjes të amanetit patriotik të të shoqit.

Evdhoksinë, apo siç njihej në Korçë - Themistoklica, e kam njohur që fëmijë, kur vija në shtëpinë e saj, i shoqëruar nga tezja ime Violeta Stralla (Plumbi), që për shumë e shumë vite shërbeu pranë saj si sekretare e Shoqatës të grave patriote, një shoqatë e krijuar në Korçë që nga koha e Zogut, me qëllim mbajtjen gjallë e çuarjen më tej të veprës patriotike të burrave të tyre, tashmë të vdekur.

Si tani e kujtoj atë grua trup vogël me syze, të veshur thjesht por shumë e regullt, me një çantë të vogël në dorë, që ecte ngadalë por e sigurt rrugëve të Korçës, tashmë në moshë shumë të thyer.

Një grua dinjitoze, fjalë-pakët, por shumë e vendosur e këmbëngulse në ato që kërkonte. Regjimi i Enver Hoxhes u mundua ta përdorte për propagandën e vet patriotike, por kurrë nuk ia arriti ta manipulojë. Evdhoksia ishte me bindje antikomuniste, sepse ishte para së gjithash atdhetare dhe liridashëse. Kjo ishte një ndër arsyet që regjimi komunist kurrë nuk e bërri Themistokliun "Hero të Popullit" (si Mihal Gramenon), si dhe për faktin që nipi i saj, Vasil Germenji (djali i Telemakut, vëllait të Themistokliut), ishte në mërgim një ndër intelektualët patriotë e antikomunistët më të vendosur.

Homazh për këtë Zonjë të nderuar e dinjitoze të qytetit tonë!

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128