Histori/ Kush e krijoi këtë mostër që mban edhe sot botën nën ankth?

4 Gusht 2022, 12:46 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

Histori/ Kush e krijoi këtë mostër që mban edhe sot

Kjo ka ndodhur 77 vite me parë…

Atëherë më 6 gusht 1945, pak orë përpara mëngjesit, një avion katërmotorësh B29 i quajtur “Enola Gey” u ngrit në fluturim nga baza e Tinianit, në arqipelagun e Marianeve.

 Komandanti, 29 vjeçari Pol Tibec, është i vetmi që e di qëllimin e misionit. Asnjëri nga 11 anëtarët e tjerë të ekuipazhit nuk di asgjë, as edhe 26 vjeçari Tomas Uillson Firibi, ushtari që do të komandonte levën për lëshimin e bombës.

Për aq sa dinin ai dhe të tjerët, bomba që po transportonin në barkun e avionit, që ironikisht e kishin quajtur "Little boy", ishte një bombë e madhe tradicionale: gjatësia 3 metra; diametri 1.5 metra; pesha 5 tonelata.

Objektivi nuk ishte vendosur ende: do të vendosej në çastin e duhur, në varësi të kushteve atmosferike. Vjen buletini meteorologjik:

"Në Kokura qielli i mbyllur deri në afërsi të tokës; në Nagasaki i mbyllur krejtësisht; në Hiroshima thuajse i pastër, shikueshmëria 10 milje".

Ja, ky do të jetë objektivi!

 "Enola Gey" këqyr vendin nga një lartësi prej më shumë se 10.000 metra. Qiell i pastër, mëngjes i kthjellët. Poshtë, qyteti fillon të lëvizë. Njerëz që shkojnë në punë, fëmijë që shkojnë në shkollë. Një mëngjes i zakonshëm i qetë gushti.

Vdekja vjen nga qielli ashtu si në vitin 79 p.e.r. erdhi për banorët e Pompeit prej gojës se Vezuvit.

 "Jepi!", urdhëron prerë komandanti. Firibi lëshon levën, përbindëshi del nga barku i aeroplanit, fishkëllen duke prekur ajrin. Është ora 8.15 min. Tibeci ulet në pikiatë, rrit shpejtësinë, rrotullohet me 180 gradë dhe largohet: ka vetëm 45 sekonda kohë për të shmangur veten nga shpërthimi. Një llambë ndriçon qiellin, sikur të ishin hapur portat e ferrit. Bomba shpërthen 600 metra përpara se të bjerë në tokë. Ekuipazhi hesht:

"O Zot çfarë paskemi pasur me vete!"- pyet Firibi, njeriu që ka lëshuar bombën. Së bashku me të tjerët, do ta mësojnë të vërtetën vetëm pasi të ulen në Tinian, në orën 14 e 58 minuta.

Në Hiroshima, shtatë sekonda pas shpërthimit, qetësia e qytetit është prishur nga një gjëmim apokaliptik. Të gjitha ndërtesat rrafshohen në një rreze prej 3 kilometrash; 30.000 njerëz vdesin në çast, të ngurosur, njëlloj si banorët e dikurshëm të Pompeit 2.000 vjet më pare; 40.000 të tjerë do të vdesin në harkun e 2 ditëve që vijnë. Ngrihet nga dheu një kolonë tymi në formë kërpudhe, që arrin lartësinë 17.000 metra.

Një shi i përbaltur, i ndyrë dhe si prej vaji fillon të sulmojë qytetin tashmë  të vdekur, ndërsa lumenjtë dalin nga shtretërit e tyre dhe përmbytin gjithçka.

Kjo monstër ishte Bomba e parë atomike që amerikanët lëshuan mbi banorët e pafajshëm të Hiroshimës, me arsyetimin se ishte një akt i domosdoshëm për përfundimin e luftës me Japoninë.

Ngjarja u përsërit 3 ditë më pas në 9 gusht 1945, këtë herë në një qytet tjetër te Japonisë – Nagasakin: 74.000 viktima vetëm në disa sekonda; 120.000 të tjerë ne ditët me pas……

Që nga ajo kohë e deri më sot këtë përbindësh e zotërojnë 10 shtete dhe disa të tjerë bëjnë përpjekje për ta pasur, por askush nuk ka guxuar ta përsërisë tragjedinë  që ndodhi 77  vjet më parë.

Kush e krijoi këtë monstër dhe kujt nuk ju drodh dora ta përdorë atë?/ Përgatiti Klodi Stralla

Po ndodh...