Jetë paralele/ Njihuni me gjenitë Lluk Kaçaj dhe Gaqo Çako!

2 Gusht 2022, 14:37 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

Jetë paralele/ Njihuni me gjenitë Lluk Kaçaj dhe Gaqo

Para 2000 vjetësh historiani biograf grek Plutarku na ka lënë një libër të mrekullueshëm– Jetë paralele, shqipëruar nga helenisti ynë Sotir Papakristo, ku me shumë vërtetësi dhe art janë skalitur, në stil ballafaques, biografitë e 22 çifte jetësh njerëzish të mëdhenj: Aleksandri i Madh dhe Jul Qezari, Demosteni dhe Ciceroni, Aristidi dhe Katoni apo Pirro dhe Mariusi.

Në këtë linjë po u sjell fare shkurt biografitë e dy prej zërave më të mrekullueshëm të muzikës klasike shqiptare, baritonit verior Lluk Kaçaj dhe tenorit jugor Gaqo Çako, që u nda së fundmi nga jeta.

Dy talente të mëdha, por dy fate krejt të ndryshëm.

Jetë paralele/ Njihuni me gjenitë Lluk Kaçaj dhe Gaqo

Lukë Kaçaj- lindi në Bajzë të Malësisë të Madhe në vitin 1924.

Në moshën 10 vjeçare u dërgua në Shkodër për studime, ku edhe shfaqi prirjet e para për muzikë, nën fratin kompozitor At Martin Gjoka. Liceun franceskan Ilyricum e përfundoi në 1944.

Pas lufte aktivizohet në Korin dhe Ansamblin e Shtetit. Në vitin 1953, në festivalin e Rinisë në Bukuresht zëri dhe fama e tij u përhapën në gjithë Europën, veçanërisht me interpretimin e aries të Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit.

Më pas, në vitin 1955, në konkurimin për studimet e larta për kanto pranë Konservatorit "Tchaikoësky" në Moskë, Luka, ndërmjet 170 këngëtarëve konkurues, arriti të fitojë vendin e katërt. Aty fitoi famë sa profesorët e tij e cilësonin, si ‘Albanskij Shaljapin‘.

Pas studimeve kthehet në TOB ku realizoi mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Kjo karrierë ndërpritet dhunshëm në 1973 kur ai burgoset falë intrigave, spiunimeve dhe zilisë të kolegëve mediokër.

Del nga burgu në vitin 1991 por karriera e tij tashmë ishte shkatërruar. Vdes në Tiranë në 2001. Pas vdekjes, Presidenti i Republikës i jep dekoratën “Nderi i Kombit”.

Jetë paralele/ Njihuni me gjenitë Lluk Kaçaj dhe Gaqo

Gaqo Çako- lindi në Korçë në vitin 1935. Midis viteve 1957-1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës, nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova.

Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat "Traviata", "Bohema", "Rigoleto", "Norma", etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias.

Zëri i tij u kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të RTSH./Përgatiti Klodi Stralla

Po ndodh...