John Maynard Keynes, konsiderohet si babai i ndërhyrjeve shtetërore në ekonomi dhe themelues i Makroekonomisë

5 Qershor 2022, 10:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

John Maynard Keynes, konsiderohet si babai i ndërhyrjeve shtetërore

John Maynard Keynes (1883-1946)

Në aspektin ushtarak lufta ka fitimtarë dhe të mundur; në aspektin ekonomik ka kreditorë dhe debitore, pra ata që duhet të paguajnë shpenzimet e luftës - të mundurit.

Në përbërjen e delegacionit britanik në Konferecën e Paqes në Paris (1919) gjendej edhe një ekspert ekonomie - 36 vjeçari John Maynard Keynes, që i çuditi pjesëmarrësit me idetë e tij origjinale për trajtimin e aspektit ekonomik të pasluftës. Ai u rekomandoj Aleatëve fitimtarë, kryesisht amerikanëve, t'i falnin borxhet e luftës dhe të zbusnin në maksimum reparacionet ndaj Gjermanisë të mundur. Askush nuk ia vuri veshin, bile e panë me neveri. Nuk kaluan veç 10 vjet dhe Bota hyri në Krizën e viteve '30-të, Gjermania ju rikthye riarmatimit, solli në pushtet Hitlerin dhe shpërtheu LDB, konfliktin më të përgjakshëm që njeh deri sot historia. Kështu ndodh sa herë nuk dëgjohen apo anashkalohen specialistët!

Djali i një profesori të njohur universiteti dhe nxënës i ekonomistit me peshë Alfred Marshall, Kejnesi i ri së pari do të ndiqte liceun e famshëm Etën dhe mandej universitetin në Kembrixh, me rezultate të shkëlqyera. Profesor i këtij universiteti në moshën 25 vjeçare, zyrtar i lartë i Thesarit britanik për shumë vite, këshilltar pranë Qeverisë dhe firmave private, guvernator i Bankës të Anglisë, truri i delegacionit anglez në Konferencën e Paqes në Paris dhe rekomandues vizionar për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore të pas luftës, ideator i FMN-së, akademik - janë disa nga etapat gjurmëlënëse të karrierës të tij të spikatur profesionale.

I pasionuar pas matematikës por edhe pas artit, letërsisë, muzikës, teatrit e baletit, falë gruas të tij, balerinës ruse Lidia Lopokova, janë disa prej pasioneve të jetës të tij private.

Ndryshe prej shumë kolegëve të tij akademikë që, ndonëse studionin paranë, nuk ja kishin idenë se si fitohej ajo në praktikë, Keynes ishte edhe njeri shumë praktik. Thuhet se ditën e fillonte me Bursën, ku vetëm me disa telefonata të thjeshta, fitonte çdo ditë disa mijëra stërlina.

Vepra më e famshme e tij është “Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë” shkruar më 1936, vepër që e vendosi atë në plejadën e klasikëve të ekonomisë, krahas Adam Smith, Rikardo, Marks etj. Keynes konsiderohet si babai i ndërhyrjeve shtetërore në ekonomi dhe themelues i Makroekonomisë. Libri ish një revolucion në shkencën ekonomike. Ja si shprehet ai: “Unë mendoj se postulatet e teorisë klasike janë të zbatueshme vetëm në raste të veçanta, jo në kushte të përgjithshme, si ato të realitetit të sotëm. Në se teoria klasike zbatohet në përvojat e përditshme ajo do të jetë e pasaktë dhe fatale“.

Keynes besonte se teoria e tij mbante parasysh edhe faktorët psikologjikë. Kapitalizmi bazohet në “pasioni për fitim”, ndërsa shkaqet e papunësisë dhe krizave në ndryshimin e ndjenjave optimiste dhe pesimiste të njerëzve, apo në prirjen e tyre për konsumim dhe kursim. Keynes besonte se qeveritë dhe jo tregjet e lira mbajnë çelësin për nxjerrjen e ekonomive nga kriza. Ekonomia e lënë të bëjë çfarë të dojë nuk mund të dalë nga gropa ku mund të jetë zhytur dhe sektori privat i lënë të bëjë çfarë të dojë nuk mund të dalë gjithashtu nga hendeku, kështu që mund të përfundojë në një depresion të ri.

Vitet e pas LDB, me Milton Friedman dhe ekonomistë të tjerë të shkollës të Çikagos ndërmorën një kundër revolucion intelektual ndaj Keynesit. Ndërsa ai theksonte rreziqet e brendshme të kapitalizmit dhe nevojën për ndërhyrje qeveritare, ata besuan ekzaktësisht të kundërtën, duke fetishizuar rolin mrekullibërës të tregjeve.

Do të kalonte mbi një gjysmë shekulli globalizëm, me polarizim të theksuar të shteteve dhe individëve brenda shteteve, që të kuptohej se Keynes kish patur të drejtë. Jo çdo gjë mund ta zgjidhin tregjet pa një vizion shtetëror për ekonominë kombëtare. Ky përfundim vlen shumë për ne shqiptarët që jemi shndërruar në një koloni importi.

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128