Ku është gabuar me fenë islame?

16 Qershor 2022, 10:38 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ku është gabuar me fenë islame?

Unë nuk jam një njohës i plotësuar i Historisë, megjithatë gjithmonë më ka bërë përshtypje se si u bë e mundur që një tribu fisnore arabe, beduine, shumë pak e kulturuar, që jetonte rreth Mekës dhe Medinës, mes shkretëtirës të pamatë të Arabisë, e udhëhequr nga një ideologji fetare (islami) dhe një lider i pashkolluar dhe jo ushtarak (Muhamedi), mundi, brenda në më pak se një shekull, t’a shtrijë qytetërimin e vet nga brigjet e Atlandikut deri në Himalaja. Asnjë qytetërim tjetër, para tij, nuk e ka patur një përhapje të tillë, në një kohë kaq të shkurtër. Pse?

Por ajo që më çudit ende është se pse po kjo ideologji fetare dhe shumë lidera të mirëshkolluar të botës islame, sot, përfaqësojnë vende që kanë mbetur pas zhvillimeve bashkëkohore, ndonëse kanë po atë pozitë gjeografike të para 1500 vjetëve, shtoi kësaj edhe një pasuri të pamatë si nafta, që paraardhësit e tyre nuk e zotëronin. Pse?

Pse islami fillestar bashkëjetoi me shkencën dhe teknologjinë më të përparuar të kohës dhe bile e mbështeti dhe inkurajoi atë, ndërsa sot islami bashkëkohor konsiderohet gjerësisht si përgjegjës për prapambetjen, intolerancën dhe terorizmin e botës islame?

Pyes dhe s’jam në gjendje të jap një përgjigje bindëse se ku është gabuar?

Për 5 shekuj qytetërimi arab, i mbështetur dhe inkurajuar nga kalifet omejade dhe abaside, ishte dukshëm superior ndaj kulturës perëndimore të kohës. Kur Europa e Shën d’Asizit dhe Shën Thoma d’Akuinit kopjonte me dorë manuskriptet (dorëshkrimet) e vjetra në pergamen të Biblës dhe Ungjijve dhe kontët e dukët e Karlit të Madh nuk dinin shkrim e këndim, arabët e Spanjës, Bagdatit dhe Damaskut kishin shkollat, bibliotekat dhe universitetet e tyre, ku përktheheshin dhe mësoheshin Aristoteli, Platoni, Euklidi, Arkimedi, Ptolemeu, Hipokrati etj. Qytetet arabe kishin kanalizime, ujësjellës, rrugë të shtruara me kalldrëm, që ndriçoheshin me drita, kishte banjo publike e biblioteka universitare me qindra mijra vellime dhe zhvilloheshin konkurse poezie.

Ja, shkurtimisht, disa nga dijetarët dhe shkencëtarët arabë që bënë epokë:

- Al RAZI, mjek, alkimist dhe filozof. Zbuloi dhe përcaktoi diagnozën e sëmundjes të lisë dhe fruthit. Kirurg i shquar. Hartoi një enciklopedi mjekësore me 24 volume që u përkthye në latinisht dhe njihej në gjithë Europën perëndimore mesjetare.

- Al HAZIS, edhe ky mjek i njohur. Përcaktoi diagnozën e sëmundjes të tiroidës dhe kreu për herë të parë operacionin e “litotomisë”, duke përcaktuar se ku duhej bërë rezeksioni (prerja), gjë që përdoret dhe sot.

- Al HAZIN, fizikant, matematicien i shquar arab. Autor i shumë veprave dhe traktateve matematike, fizike, astronomike, filozofike, shumë prej të cilave kanë arritur deri në ditët tona, midis të cilave “Traktati i kurbave gjeometrike”. Në veprën e tij “Optika”, përshkruan i pari, në mënyrë shumë të saktë, syrin me përbërësit e tij, kornen, retinën, kristalinin. Aty flitet për parimet e “dhomës të errët” dhe mbron tezën se drita përhapet në vijë të drejtë.

- AVEROES. mjek, fizikant, astronom, matematikan dhe filozof. Me tërë kuptimin e fjalës një gjeni universal. Shkroi një traktat mbi “theriaket” (ilaçet-helmet), si dhe realizoi për herë të parë procesin fisiko-kimik të distilimit. Si mjek, ai shëronte të sëmurët duke përdorur sinapizmat dhe vaksinimet. Mbrojti dhe komentoi veprat e Aristotelit

- Aben BAITHAR, mjek e botanist. Korrigjoi veprat e Dioskoridit dhe Galienit (mjek e filozof grek). La pas një enciklopedi mjekësore, e cila titullohet: “Medicaments simples”. Ata që u frymëzuan nga këto vepra u quajtën “fajlasuf” – filozofë.

- Al KINDI. Jetoi ne Bagdad, në kohën e dinastisë të kalifëve abaside. Ai i përmbahej teorisë neoplatoniane, sipas të cilës “bota është një krijesë e Zotit”, i cili nën emrin e inteligjencës të parë dhe përmes një sërë veprimesh të zgjuara e te hierarkizuara, krijoi “ex nihilo” (nga hiçi) – Botën.

- Al FARABI - Një mendje universale për dituritë e tij të thella në një varg fushash të shkencave. Atij i dedikohen futja e numrave dhjetorë (numrat arabë). Mori emrin “magistër secundus”, pas Aristotelit që ishte “magistër primus”. Filozofia e Al Farabit përbënte përpjekjen e parë të harmonizimit në mes fesë islame dhe arsyes njerëzore.

- Por filozofi më i shquar është i famshmi Ibn SINA (Avicena), mjek e mendimtar i madh, si dhe njeri politik. Në veprën e tij “Shifa”, u mundua të bënte sintezën e filozofisë të Aristotelit, të interpretuar me frymën neoplatoniane, me ato të botës lindore islame. Përpunoi një filozofi të tërë idealiste të krijimit.

Filozofia e Avicenës quhet dhe filozofi iluministe. Por Avicena si shkencëtar që ishte, shpesh u shkëput nga misticizmi, dhe në “Fizikën” e tij arriti në idenë e lëvizjes dhe zhvillimit të materies, në bazë të ligjeve natyrore të shkakësisë e të domosdoshmërisë.

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

 

Po ndodh...