Liceistët e parë, serioziteti dhe përkushtimi ndaj shkollës

23 Qershor 2022, 12:09 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

Liceistët e parë, serioziteti dhe përkushtimi ndaj shkollës

Kjo foto është shkrepur 96 vite me parë, në 23 qershor 1926, tek dera e godinës të ish Liceut francez të Korçës, me rastin e përfundimit te studimeve, dhe ju përket 7 maturanteve të  parë që e përfunduan atë me 9 vite shkollore, me bakaloreatin e dyte.

Në foto, nga e majta në të djathtë: përpara, Aleko Tashko dhe Nihat Asllani; prapa, Sinan Imami, Xhevdet Kapshtica, Niko Stralla, Pandeli Kosturi dhe Gjergj Canco. Të 7- të studiuan në Francë, në degë të ndryshme dhe punuan në sektorë të rëndësishm të vendit.

Postimi i fotos prej meje nuk synon të personalizojë individë, por të tregojë seriozitetin dhe përkushtimin ndaj shkollës në ato vite të para të pavarësisë të vendit.

Liceistët e vitit të fundit, për t'u dalluar prej të tjerëve, mbanin në kokë një kapele me shirit te bardhë që, sipas kujtimeve të atyre që e kanë mbajtur, kjo përbënte krenari dhe vlerësim në mbarë qytetin e Korçës.

Liceu francez i Korçës i çeli dyert në 25 tetor 1917, dhe në të u regjistruan fillimisht 36 nxënës. Maturantët e parë, me 8 vite shkollore, me bakaloreat të parë, dolën ne 1925. Këta ishin: Selaudin Mborja, Refi Kasimati, Petraq Peppo, Ligor Serafimi, Medar Shtylla, Xhavit Beli, Dhimiter Goga, Petro Lako dhe Nikollaq Adhami.

Mbas vitit 1925, përfundimi i Liceut bëhet nëpërmjet dy bakaloreateve, duke e zgjatur me 9 vite ciklin shkollor. Klasat emërtoheshin në rend zbritës: huitieme (i teti), septieme (i shtati), sixieme (i gjashti), deri tek premiere (i pari). Kishte edhe një vit shtesë, ekuivalenti i maturës shtetërore të sotme. Në provimet përfundimtare vinte nga Franca një "i deleguar", dhe komisioni i kryesuar prej tij, drejtorit teknik dhe 3 profesorëve të shkollës, vërtetonin përfundimin e studimeve nëpërmjet një Diplome, që të mundësonte vazhdimin në çdo universitet evropian. Sistemi i vlerësimit ishte me notë maksimale 20 (ata që vlerësoheshin me 18-të, "tres bien",qenë të rallë). Çdo vlerësim përfundimtar, përveç notës, shoqërohej edhe me një vlerësim me shkrim nga profesori i lëndës (aty theksoheshin veçanërisht sjellja morale dhe karakteri i nxënësit) .

Në këtë vit shkollor (kur është bërë foto) Liceun e drejtoi teknikisht një profesor frëng, me personalitet të lartë moral dhe pedagogjik - Jules Bailly Comte. Një burrë i gjatë, me kapele republike dhe syze, që ecte me bastun (çalonte pak). Rigoroz, metodist, shume aktiv. Ishte ai që, sipas kujtimeve të bashkëkohësve "i dha Liceut shpirt" (vdiq në Korçë, një vit më vonë). Ndërsa për shumë e shumë vite drejtor administrativ ishte i paharushmi Sotir Papakristo.

Po ndodh...